×
Art/Kulturë

Vdes aktori i teatrit e filmit Pandi Siku

Reporteri
16 Gusht 2022 | 23:28

Një nga figurat e botës së filmit e teatrit në Shqipëri, aktori Pandi Siku ka vdekur në moshën 73-vjeçare. Ka lënë pas vetes një trashëgimi të pasur rolesh nëpër filma të ndryshëm e shfaqje teatrore.

Ata që e njihnin dhe punuan me të e quanin djaloshi i filmave. Disa prej miqve të afërt ia kishin vënë edhe nofkën Pançe. Mirëpo e përbashkëta e relacioneve të dy palëve ishte se Pandi Siku mbetej figurë përfaqësuese e kinematografisë e teatrit shqiptar.

Lajmin për vdekjen e aktorit, i cili nga viti 2001 ka jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e dha vajza e tij.

“Më 16 gusht të 2022-tës babai im, Pandi Siku, u bë një engjëll në parajsë! Të dua shumë!”, ka shkruar ajo në rrjete sociale.

I njohur kryesisht për jetësimin e roleve të dyta, Siku ka nisur rrugëtimin me artin që në studime, duke qenë i diplomuar në Degën e dramës në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, teksa më 1973 i bashkohet trupës së Teatrit Popullor, i njohur tash si Teatri Kombëtar. Ndërkaq rolin e parë në film e ka pasur si 22-vjeçar, te filmi “Kur zbardhi një ditë”, nën regji të Piro Milkanit, në të cilën e interpreton rolin e Hamallit. Periudhën më aktive në aktrim e pati pikërisht nga kjo kohë e deri në kohën kur u shkëput me rastin e migrimit, ku edhe vdiq.

Mirëpo veprimtaria e tij artistike ndahet në dy pjesë, në atë teatrore dhe filmike. Pandi Siku u ka dhënë jetë roleve të shumta në teatër, Adlinin në “Lumi i vdekur”, Halimin te “Pas provimit të fundit”, Arjanin në “Jeta e tjetrit”, Shpendin në “Epoka para gjyqit”, Rrema në “Komunistët”, Valentini në “Dy zotërinj nga Verona”.

Siku ka lënë gjurmë edhe nëpër filma të shumtë duke jetësuar role në “Brazdat”, “Njeriu me top”, “Një udhëtim i vështirë”, “Kur hidheshin themelet”, “Mysafiri”, “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, “Koha nuk pret”, “Këmishët me dyllë”, “Shpresa”, “Tre vetë kapërcejnë malin” e “Fletë të bardha”.

Qendra Kombëtare Kinematografike ka kujtuar Sikun përmes roleve të tij.

“Pandi Siku ka pasur një karrierë të gjatë me role të spikatura si aktor në kinematografi dhe në teatër”, ka shkruar QKK.

Në anën tjetër, kanë qenë miqtë e bashkëpunëtorët e tij ata të cilët kanë shprehur ngushëllimet për familjen dhe kanë ndarë kujtimet me Sikun nëpër rrjete sociale. Regjisori e një prej figurave të radios në Shqipëri, Xhelil Aliu, e cilësoi mikun e tij si një nga aktorët e suksesshëm të ekranit.

“Na trishtove shumë, i dashur Pandi, shoku ynë i klasës prej 4 vjetësh, ku u përgatitëm dhe morëm rrugët e jetës. Ti hipe në skenën e Teatrit Popullor, kurse unë pata fatin të të kem një ndër aktorët e përhershëm në dramatizimet e radios”, ka shkruar Aliu.

Në anën tjetër, aktori Leka Sefla e ka cilësuar si mik të mirë.

“Aktori i talentuar i Teatrit Kombëtar, ‘djaloshi i përjetshëm’, siç i thoshim ne të gjithë, u nda sot nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë”, shkroi Sefla.

Një nga miqtë e afërt të tij, Xhevdet Sakaj, e ka cilësuar jo veç si artist i madh në profesion, por edhe si artist i fjalës, veprës e sjelljes.

“Kemi një shoqëri të organizuar dhe të mirorganizuar këtu në Çikago që takohemi çdo javë të garantuar, por edhe dy herë në javë, por Pandi ishte artisti dhe lezeti i tavolinës”, ka kujtuar Sakaj.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!