Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake gjeneralin amerikan Steven Osborn, Adjutant të Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowas.

Sipas njoftimit të Presidencës, dekorata iu nda gjeneralit Osborn në shenjë mirënjohjeje për kontributin në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowas dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në njoftim bëhet e ditur se partneriteti ndërmjet dy institucioneve, i cili zgjat tashmë 15 vjet, ka ndikuar në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së përmes trajnimeve, ushtrimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.

Reklamë

Presidentja Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për përkushtimin e gjeneralit Osborn dhe mbështetjen e tij në avancimin e FSK-së.

Ajo ka theksuar se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është strategjik për Kosovën dhe është ndërtuar mbi besimin e ndërsjellë dhe vlerat e përbashkëta.

Sipas Presidencës, Shiroka Pula ka vlerësuar se miqësia dhe partneriteti me SHBA-në do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në të ardhmen.