Një grup prej 45 organizatash të shoqërisë civile u kanë bërë thirrje partive parlamentare që të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës deri më 6 tetor, në përputhje me afatin e përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Në një deklaratë të përbashkët, organizatat kanë kërkuar nga partitë që të angazhohen për funksionalizimin e institucioneve dhe të shmangin një tjetër shpërndarje të Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Sipas tyre, Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe me mandat të plotë, ndërsa partitë parlamentare duhet të marrin përgjegjësi për respektimin e rendit kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve.
Organizatat kanë paralajmëruar se dështimi për zgjedhjen e Presidentit do të çonte në shpërndarjen e Kuvendit dhe një cikël të ri zgjedhor.
“Pas krizave të përsëritura institucionale dhe cikleve të njëpasnjëshme zgjedhore, kjo do ta vendoste vendin përballë një tjetër ngërçi institucional, pa pasur garancë që zgjedhjet do të jenë zgjidhje e mosmarrëveshjeve që po e mbajnë të hapur këtë çështje”, thuhet në deklaratë.
Sipas organizatave, Kosova prej dy vitesh po përballet me institucione që kanë funksionuar në kushte të mandatit të kufizuar ose në detyrë. Ato vlerësojnë se një tjetër bllokadë institucionale do ta zgjaste pasigurinë politike dhe do të ndikonte në demokraci, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Për arritjen e një marrëveshjeje, organizatat kërkojnë kompromis nga të gjitha partitë parlamentare.
Nga shumica parlamentare kërkojnë gatishmëri për të shqyrtuar kandidatura që mund të sigurojnë mbështetje më të gjerë ndërpartiake, ndërsa nga opozita kërkojnë propozime konkrete dhe angazhim për një zgjidhje të realizueshme.
“Arritja e marrëveshjes për Presidentin/en kërkon kompromis të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë, ku nga të gjitha palët kërkohet të rishikojnë qëndrimet fillestare dhe të dakordohen për kandidaturën, mbështetjen parlamentare dhe pjesëmarrjen e nevojshme për përfundimin e procesit brenda afatit.
Organizatat vlerësojnë se zgjedhja e Presidentit në përputhje me Kushtetutën do t’i mundësonte vendit të dalë nga bllokada aktuale dhe institucioneve të vazhdojnë punën.
Ato theksojnë se një marrëveshje mes shumicës dhe opozitës nuk nënkupton tejkalimin e dallimeve politike, por bashkëpunimin e nevojshëm institucional për përfundimin e procesit.
Në fund, 45 organizatat kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar në lehtësimin e diskutimeve ndërmjet palëve dhe kanë kërkuar që në ditët e mbetura deri më 6 tetor të ndërmerren hapa konkretë për arritjen e marrëveshjes.
Deklaratën e kanë nënshkruar organizata të ndryshme të shoqërisë civile, përfshirë Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Democracy Plus, Institutin GAP, Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Lëvizjen FOL, Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Rrjetin e Grave të Kosovës dhe organizata të tjera.