×
  • Lajme
  • Lajme / Tri vjet qeverisje

    Kurti në vitin e fundit të qeverisjes, dhjetë premtimet që nuk i realizoi

    Reporteri
    23 Shkurt 2024 | 20:00

    Albin Kurti ka hyrë ne vitin e fundit të qeverisjes së tij. Kurti në zgjedhjet e fundit të 2021-së, së bashku me listën “Guxo”, të drejtuar nga Vjosa Osmani fitoi mbi 50% të votave.

    Kurti si i nominuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeministër, prezantoi program të gjatë politik, përfshirë, ekonominë, drejtësinë, shëndetësinë dhe arsimin.

    Reporteri.net, sjell disa nga premtimet që Albin Kurti, si kryetar i LVV-së, kishe bërë gjatë fushatës e që në vitin e fundit të qeverisë duken larg realizimit.

    Kurti premtoi se do të ndërtonte pesë shtëpi për të moshuarit, të i rrisë numrin e qendrave dhe shërbimeve për gjendje të caktuara si autizmi, sindromi Down, etj.

    Madje ai edhe e ndau si prioritet  kryesor përfshirjen sa më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm (2 deri në 4 vjeç). “Kjo do të arrihet duke ndërtuar objekte të reja të edukimit të hershëm, si dhe duke i përshtatur objektet ekzistuese e të pashfrytëzuara për këtë qëllim”, thoshte ai.

    Premtoi se do e rikthejë edhe Ministrinë e Integrimit.

    Këto janë disa nga premtimet dhe të cilat ende nuk janë realizuar:

    1. Do të disenjojmë intervenime shtesë që do shfrytëzojnë mundësitë për gjenerim të të ardhurave përmes aktiviteteve të kohëpaskohshme duke u kujdesur që të njëjtat të mos prekin përfitimet ekzistuese. Për më të dashurit tanë, për të moshuarit që presin ndihmën tonë, do t’i ndërtojmë edhe 5 shtëpi të tjera me shërbimet e përkujdesjes për ta.
    2. Do të rrisim numrin e qendrave dhe shërbimeve për gjendje të caktuara si autizmi, sindromi Down etj. Dhe zhvillimin e promovimin e programeve për zvogëlimin e paraqitjes së sëmundjeve profesionale.
    3. Një qeveri e qytetarëve i ka sytë te më të rrezikuarit. Kështu që jemi përgatitur që ta rrisim si kurrë më parë angazhimin për t’i shkolluar në të gjitha nivelet fëmijët e të rinjtë nga komunitetet romë, ashkali e egjiptas.
    4. Para minatorëve të Republikës zotohem se do të sigurojmë një model të ri të qeverisjes së resurseve tona minerare. Do të mundësojmë ringritjen dhe avancimin duke riparuar kapacitetet ekzistuese, duke futur teknologjinë e re dhe duke zhvilluar metalurgjinë dhe kiminë, vazhdimisht me planin e masave për mbrojtjen maksimale nga ndotja. Në Trepçë do ta shtojmë prodhimin e hulumtimin si dhe kualifikimin e punëtorëve. Zhvillimi i Trepçës është në mesin e hapave më të rëndësishëm për bashkimin e qytetit të Mitrovicës të ndarë në dy komuna.
    5. Prioriteti ynë kryesor është përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në edukimin e hershëm (2 deri në 4 vjeç). Kjo do të arrihet duke ndërtuar objekte të reja të edukimit të hershëm, si dhe duke i përshtatur objektet ekzistuese e të pashfrytëzuara për këtë qëllim. Ndërkaq, masa kryesore do të jetë largimi i pagesës për edukimin e hershëm për fëmijët që vijnë nga familje me të ardhura të ulëta ekonomike. Ne do të përsosim kurrikulën në edukimin e hershëm duke e orientuar atë nga aftësitë vetërregulluese të fëmijëve dhe do të ofrojmë mbështetje të vazhdueshme profesionale për mësimdhënësit në zbatimin e saj.
    6. Për mësimdhënësit do të ofrojmë edhe banimin me kosto të përballueshme. Në bashkëpunim me mësimdhënësit do të sigurojmë një model të shpërblimit të performancës.
    7. Do të rrisim numrin e qendrave dhe shërbimeve të shëndetit mendor, dhe të bëjmë përmirësimin teknik të qendrave ekzistuese. Si dhe rritjen e numrit të profesionistëve për parandalimin dhe mjekimin adekuat të këtyre sëmundjeve.
    8. Padia për Gjenocid. Krijimi i një komisioni hetimor për krimet e luftës? Krijimi i një dege të veçantë/katedre brenda Universitetit të Prishtinës, në Fakultetin Juridik, për edukimin dhe specializimin e profesionistëve për këto çështje dhe mbështetja për edukim të vazhdueshëm brenda e jashtë vendit.
    9. Njëjtë sikurse Policia e Kosovës që na jep neve siguri, edhe ne duhet t’u japim zyrtarëve policorë sigurimin jetësor e shëndetësor, si një e drejtë e garantuar për punën e tyre të rëndësishme por edhe nën rrezik.
    10. Andaj zotohemi për të vijuar me politikë të jashtme aktive, inovative dhe parimore. Me partnerët tanë strategjikë si Shqipëria, ShBA, vendet e Bashkimit Evropian dhe Britania e Madhe na duhet të shtojmë fushat e bashkëpunimit sikundër dhe koordinimin për t’i mbërritur synimet tona. Bashkimi Evropian për neve, është bashkim me dijen dhe zhvillimin. Do ta rikthejmë adresën politike të Kosovës për BE-në, pra Ministrinë e Integrimit.

    Ky është programi i plotë i shkruar dhe me video i prezantuar nga Kurti: 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!