4 drejtori, nënkryetarin dhe 5 ndërmarrje – këto janë kërkesat e PDK-së në Prishtinë që s’po ua pranon Përparim Rama

Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mblidhet nesër, ditë e mërkurë për të votuar Kryesuesin.

Megjithatë, burime të Gazetës Online Reporteri thonë se sonte kryetari i Prishtinës Përparim Rama është duke vazhduar diskutimet për një marrëveshje me Partinë Demokratike të Kosovës.

Votat e asamblistëve të kësaj partie dhe ato të LDK-së do të mundësonin zgjedhjen e kryesuesit, duke mos lejuar dështimin e këtij procesi.

Këto burime i kanë thënë Reporterit se kushtet e PDK-së për Ramën e LDK-në janë hiç më pak se 4 drejtori.

Por ky s’është kushti i vetëm.

“4 drejtori dhe udhëheqja e 5 ndërmarrjeve publike nga kryeshef që vijnë nga PDK-ja, janë kërkesat e kësaj partie për Ramën”, thotë ky burim.

Kërkesë tjetër nga PDK është edhe posti i nënkryetarit, që ishte raportuar edhe më herët por pa u konfirmuar nga kryetari Rama e as ekipi i tij.

Mësohet se sonte mund të ketë një marrëveshje e cila do t’i hapte rrugë votimit të sigurt nesër në asamblenë komunale në Prishtinë.

Por duket se deri më tani ka një hezitim nga kryetari Përparim Rama, i cili ka refuzuar këto kërkesa të Partisë Demokratike të Kosovës.

Në rast se ky refuzim dhe mospajtim vazhdon edhe nesër, pa u arritur një marrëveshje paraprake, atëherë Prishtina rrezikon të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme për asamble.

Ndryshe, kanë kaluar disa javë që kur kryetari Përparim Rama ka marrë detyrën e kryetarit të Prishtinës, por që ende s’është votuar për kryesuesin e Kuvendit Komunal.

Njëjtë si në Prishtinë, ngecje në këtë proces ka edhe në disa komuna tjera./Reporteri.net/