×
  • Lajme
  • Lajme / DOKUMENT

    7 mijë e 991 policë do të marrin shtesat e rrezikshmërisë, vlera mbi 7.6 milionë Euro

    Reporteri
    16 Nëntor 2023 | 19:54

    Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme përkundër pakënaqësive të policëve elitarë, ka miratuar shtesat për rrezikshmërinë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

    Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda takimit kanë bërë me dije se Kurti ua bëri të qartë se nuk do të ketë shtesë më të lartë.

    “Pranoni ose lëreni punën na ka thënë kryeministri.”, tha ky burim.

    Gazeta Online Reporteri.net ka siguruar një dokument në të cilin janë pasqyruar të gjitha të dhënat rreth shtesave të rrezikshmërisë të miratuara nga Qeveria.

    Komisioni për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës , i ka rekomanduar Qeverisë që 350 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, pjesë e personelit për menaxhimin e operacioneve do të marrin shtesën e rrezikshmërisë prej 45 eurove.

    615 pjesëtarë të Policisë nga sigurimi i objekteve do të marrin shtesën për rrezikshmëri prej 50 eurove.

    3142 pjesëtarë të PK-së nga ekipet reaguese, patrullat e rendit do të marrin shtesën e rrezikshmërisë prej 60 eurove.

    Po ashtu 1467 zyrtarë të Policisë që punojnë në hetuesi do të marrin shtesën e rrezikshmërisë prej 75 eurove.

    1 mijë e 383 policë nga Patrullat kufitare dhe Njësia e Reagimit të Shpejtë do të marrin shtesë prej 100 eurove.

    NJSO, K9 dhe EODD me 358  pjesëtarë do të marrin shtesë për rrezikshmërinë prej 120 eurove.

    Ndërsa 406 pjesëtar të NJSI NJNSH, NJMA do të paguhen shtesë për rrezikshmërinë në punë nga 150 euro.

    Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje nga takimi i djeshëm me pjesëtarët e Njësisë Speciale Intervenuese, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ai ka thënë se kanë diskutuar gjatë për kërkesat e tyre, porse ka insistuar se kategorizimi dhe vlera e shtesave, me të cilat ata nuk janë pajtuar, është bërë me kujdes të shtuar.

    Shefi i ekzekutivit tha se shtesa për rrezikshmëri do të fillojë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga, ajo do të ndahet në mënyrë retroaktive.

    “Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe pjesëtarë të NjSI-së lidhur me kërkesat e tyre dhe arsyshmërisë sonë mbi kategorizimin e dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë. I njoftuam dhe i siguram ata që kategorizimi dhe vlera e shtesave është bërë me kujdes të shtuar dhe duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët rreth punës dhe përgjegjësive të tyre dhe në të njëjtën kohë duke pasë parasysh edhe kufizimet të cilat ekzistojnë.

    “Mbetemi të përkushtuar për përmirësimin e kushteve dhe pajisjeve të Policisë së Kosovës, në mënyrë që krahas lehtësimit në punë të ndikojmë në mënyrë të drejtëpërdrejtë po ashtu edhe në uljen e rrezikut gjatë kryerjes së detyrave dhe përgjegjësive. Ky përkushtim vërtetohet edhe në Projketbuxhetin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për vitin 2024, të cilin do ta prezantojmë sot në Kuvend.

    Shtesa për rrezikshmëri do të fillojë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga ajo do të ndahet në mënyrë retroaktive me aprovimin e këtij vendimi pritet të përfitojnë rreth 8 mijë zyrtarë policorë”, tha Kurti./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!