×
  • Lajme
  • Lajme

    A e pengon taksa anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Reporteri
    19 Mars 2019 | 11:14

    Janë të paktën tri synime në agjendën aktuale të Kosovës për anëtarësim në organizata e mekanizma ndërkombëtarë. Përpjekjet e sërishme për anëtarësim në organizatën e INTERPOL-it (Policinë Ndërkombëtare), pastaj anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë, janë disa nga prioritetet që përmenden në këtë drejtim.

    Por, mbetet dilema nëse të gjitha këto synime mund të dështojnë për shkak se Kosova mund të ballafaqohet me mungesën e mbështetjes nga disa vende perëndimore, të cilat në vazhdimësi e kanë përkrahur atë, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ky vendim, nga SHBA-ja dhe BE-ja po vlerësohet se ka bllokuar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës konsiderojnë se Kosova nuk është duke humbur asgjë në rrafshin politik ndërkombëtar nga mospezullimi i taksës doganore.

    Zëvendësministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Anton Berisha, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se taksa doganore nuk mund të paraqesë për Kosovën pengesë për anëtarësim në INTERPOL, në Këshillin e Evropës apo në mekanizma tjerë.

    “Nuk kemi arritur të anëtarësohemi edhe para taksës as në Këshillin e Evropës, as në INTERPOL dhe as në UNESCO. Dhe në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare e diplomatike, do të ishte shumë jokorrekte nga shtetet që na kanë njohur, që një pikë teknike të bëhet kryefjala ose kryetema e raporteve ndërmjet shteteve”, tha Berisha.

    Sipas tij, taksa për produktet nga Serbia dhe Bosnja, duhet të vazhdojë derisa këto dy shtete të mos e ndryshojnë qasjen e tyre në raport me shtetin e Kosovës.

    Berisha thekson po ashtu se pengesat kryesore për mosanëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë, është duke i bërë Serbia.

    “Problemi është Serbia dhe ne u kemi kërkuar dhe do të vazhdojmë t’u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë që ata kërkesat t’i adresojnë te Serbia. Kur Serbia do të vazhdojë të sillet në mënyrë korrekte, sigurisht që edhe Kosova do të jetë korrekte në raportet edhe me premtimet ndaj partnerëve ndërkombëtarë”, tha Berisha.

    Kosova sërish ka aplikuar për t’u bërë anëtare e Organizatës Ndërkombëtare Policore (INTERPOL) dhe kërkesa e saj tashmë është pranuar nga kjo organizatë, konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

    Edhe në Lidhjen Demokratike e Kosovës thonë se tarifa 100 për qind, nuk do të duhej të ishte pengesë për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë.

    Por, në LDK, rikujtojnë Qeverinë e Kosovës se Serbia mund ta përdorë taksën edhe në këtë rast, ngjashëm siç e ka prezantuar atë si pengesë për vazhdimin e dialogut, në përpjekjet e saja për t’i bindur vendet që të mos e mbështesin Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në organizata të caktuara ndërkombëtare.

    “Pengesë është sjellja destruktive e Serbisë. Tarifa nuk do të duhej të ishte pengesë as për dialogun. Por, Serbia arriti ta shndërrojë këtë në kauzë dhe kusht të saj për dialogun, që për fat të keq, e përkrahën edhe vendet tona mike”, tha Besian Mustafa, zëdhënës i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Zbatimi i taksës nga Qeveria e Kosovës, mund të ketë ndikime edhe në anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Tregtisë. Qeveria e Kosovës thotë se i ka bërë të gjitha përgatitjet teknike për të aplikuar për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) dhe pret që këtë proces ta përmbyllë gjatë këtij viti.

    Me gjithë optimizmin e Qeverisë, eksperti i ekonomisë, Gazmend Qorraj, profesor në Fakultetin Ekonomik, ditë më parë ka thënë për Radion Evropa e Lirë se taksa aktuale që Kosova u ka vënë Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mund të jetë pengesë serioze për anëtarësimin në këtë organizatë.

    Aktualisht, sipas tij, nuk është koha e favorshme për aplikim në këtë mekanizëm dhe që Kosova duhet të jetë e sigurt për anëtarësim në momentin e aplikimit.

    Më 20 nëntor të vitit të kaluar, Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtar i INTERPOL-it, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u mbajt në Dubai.

    Përndryshe, tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL, kanë nisur që nga viti 2010.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!