×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimet publike

    A ka Kosova sistem alarmi të urgjencës?

    Autor:Fortuna Shkodra Haliti
    13 Nëntor 2023 | 13:00
    Foto: Atdhe Mula | Edituar nga Reporteri

    “Çdo disa javë më vijnë mesazhe në telefon nga institucionet, për gjëra aspak urgjente. E kur duhej ta merrja një mesazh shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me shëndetin, ai nuk erdhi. Isha e painformuar”.

    Kështu thotë F.E., banore e Prishtinës, teksa i referohet njoftimit të lëshuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRUP), se uji nga liqeni i Badocit nuk rekomandohet për pije dhe gatim, për shkak të prezencës së manganit në të.

    Amvisja nga kryeqyteti kosovar thotë për Gazetën Online Reporteri.net se mori vesh me shumë vonesë për rekomandimin e IKSHPK-së. Ajo tregon se u njoftua rreth ujit nga të afërm, të cilët informacionin e kishin marrë përmes rrjeteve sociale në internet – përdoruese e të cilave thotë se vetë nuk është.

    Uji i papijshëm

    Më 19 tetor të këtij viti, IKSHPK-ja dhe KRUP-i e lëshuan fillimisht në platformën sociale “Facebook”, e pastaj në adresë elektronike të gazetarëve, një njoftim shumë të rëndësishëm për ujin. I njoftuan qytetarët që furnizohen nga Badoci, të mos e pinë në asnjë variant ujin, sepse ka prezencë të elementit kimik, mangan. (Një sasi e vogël e manganit është thelbësore për shëndetin e njeriut, por pirja e ujit me shumë mangan mund të jetë rrezik i madh). Madje, ata u porositën të mos e përdorin ujin nga Badoci as për gatim.

    “Në bazë të njoftimit të pranuar nga IKSHPK-ja, mirëpo edhe me monitorimet dhe kontrollet e cilësisë që bën KRU ‘Prishtina’ me departamentin e cilësisë së ujit, është vënë re ngritje e prezencës së manganit në burimin e ujit (liqeni Badoc). Andaj, bazuar në gjendjen momentale, me rekomandim të IKSHPK-së, KRU ‘Prishtina’ njofton qytetarët që furnizohen nga ITU Badoc, se uji nuk rekomandohet për pije dhe për gatim, deri në njoftimin e radhës”, u tha në njoftimin e KRUP-it.

    Gazeta Online Reporteri.net ka dërguar pyetje në adresë të Ujësjellësit, për të kërkuar sqarim nëse është kërkuar ndihmë nga organet kompetente që ky njoftim t’u kishte shkuar qytetarëve me SMS në telefonat mobilë, sepse jo doemos secili qytetar, në veçanti ata më në moshë, ka qasje nëpër platformat sociale, por nga kjo kompani kanë thënë se “nuk është parë e arsyeshme një gjë e tillë”.

    “Me SMS nuk e kemi paraparë një gjë të tillë, duke e pasur parasysh që përmes mediave, qoftë të shkruara, qoftë elektronike, lajmi shpërndahet në çdo shtresë të popullsisë”, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësja për media në KRUP, Arjeta Mjeku, duke shtuar se “gjendja nuk është alarmante”.

    IKSHPK-ja, në anën tjetër, deri në momentin e publikimit të këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje në disa pyetje që i ka dërguar Reporteri.net para disa ditësh.

    Sa kanë kosovarët qasje në internet?

    Në Kosovë, gati 99 për qind e kosovarëve kanë qasje në internet, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) të nxjerra në fund të tetorit. Prej vitit 2017 e deri këtë vit, përqindja e familjeve që kanë qasje në internet në Kosovë është rritur vazhdimisht. Vetëm 1.4 për qind e familjeve janë pa qasje në internet.

    Megjithatë, gjatë vitit të fundit përdoruesit kryesorë të internetit ishin personat nga 16 deri në 34 vjeç. Ata mbi 65 vjeç kanë përdorur internetin më së paku në vend, tregojnë statistikat.

    Edhe pse shumica e banorëve në Kosovë kanë qasje në internet, shumë pak prej tyre e përdorin atë për qasje në materiale mësimore, informacione apo për marrje të shërbimeve qeveritare, sipas të dhënave të ASK-së.

    Sistemi i alarmit për urgjenca në Kosovë

    Sistemi i alarmit të urgjencës është një sistem paralajmërimi kombëtar, që lejon zyrtarët e autorizuar të transmetojnë te populli alarme emergjente apo mesazhe paralajmëruese. Alarmet bëhen fillimisht përmes njoftimeve apo mesazheve nëpër telefona celularë, më pas edhe nëpërmjet televizionit kabllor ose satelitor. Madje, në disa vende perëndimore, alarmin urgjent qytetarët e pranojnë në telefon edhe nëse ai është i fikur. Por, Kosova nuk e ka aktiv një sistem të tillë.

    Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME), që funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka treguar për një projekt-marrëveshje që është iniciuar para disa vitesh lidhur me këtë çështje, porse kurrë nuk nisi implementimin. Për më tepër, ka thënë se përgjegjësinë për këtë e ka marrë Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s (NALT) – subjekt ndërlidhës i misionit paqeruajtës në Kosovë të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior.

    “Sa i përket aspektit – njoftimit publik në rast rreziku, Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka iniciuar një projekt-marrëveshje me ofruesit e shërbimeve të Telekomit në vitin 2021, dhe atë me të gjithë akterët relevantë, e cila edhe është nënshkruar në MPB, pas të cilit veprim janë zhvilluar edhe negociatat për implementim. Por, përgjegjësit në inicim dhe zbatim të modelit të ‘njoftimit publik në raste rreziku’, përmes krijimit të një platforme të porosive SMS, e ka pranuar subjekti ndërlidhës i KFOR-it, i njohur si NALT, i cili, për arsye për neve të panjohura, deri më sot nuk ka arritur të fillojë me implementim”, thuhet në përgjigjen e AME-së.

    Përgjegjësitë e NATO-s

    NATO-ja ka thënë se “çdo përgjegjësi e tillë bie vetëm mbi institucionet e Kosovës”, për më tepër që NALT-i vepron ndaras nga misioni i KFOR-it.

    “Përgjegjësia për inicimin dhe zbatimin e nismave dhe politikave lokale bie mbi institucionet në Kosovë. Ekipi Këshillues dhe Ndërlidhës i NATO-s vepron ndaras nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i. Mandati i tij është vetëm të ofrojë këshilla për organizatat e sigurisë së Kosovës, duke u fokusuar në strukturën civile që mbikëqyr Forcat e Sigurisë së Kosovës brenda mandatit fillestar”, ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net një zëdhënës i NATO-s.

    Alarmet përmes telefonave

    Në Kosovë, ka shumë raste kur njoftime të ndryshme institucionale – kryesisht të natyrës jourgjente – u shkojnë qytetarëve me SMS. Para pak javësh, MPB-ja u ka dërguar të gjithë qytetarëve mesazh për vendimin e Qeverisë së Kosovës se “duhet regjistruar veturat me targa RKS”, që prek kryesisht komunitetin serb në vend.

    Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ekziston alarmi i urgjencës, që njihet edhe si “Sistemi i Alarmeve Komerciale Mobile”, që është një rrjet alarmi i krijuar për të shpërndarë alarmet e urgjencës në pajisjet mobile si telefonat celularë.

    Qeveria amerikane lëshon tre lloje alarmesh përmes këtij sistemi: “Alarmin kombëtar” (më parë i njohur si “Alarmi Presidencial”), që përfshin alarmet e lëshuara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara ose Administratori i Agjencisë Federale të Menaxhimit të Emergjencave.

    Një lloj tjetër alarmesh janë ato që përfshijnë kërcënime të menjëhershme për sigurinë e jetës së qytetarëve, të lëshuara në dy kategori të ndryshme: kërcënime ekstreme dhe kërcënime të rënda. Në të gjitha këto raste, sinjalizimi te qytetarët bëhet me një tingull edhe nëse telefoni është i fikur.

    Alarm tjetër është ai që njihet si “Amber Alert”. Një alarm i tillë kohëve të fundit ka nisur përdorimin edhe në Kroaci, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

    “Amber Alert” u dërgohet të gjithë qytetarëve kur ndodhin raste të rrëmbimit të fëmijëve, dhe i kërkohet publikut ndihmë për gjetjen e fëmijëve të rrëmbyer. Sistemi e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Emri u krijua duke iu referuar Amber Rene Hagerman, një vajzë e cila u rrëmbye dhe më vonë u gjet e vrarë në vitin 1996.

    Por, në Kosovë, në të shumtën e rasteve, njoftime shumë të rëndësishme bëhen vetëm nëpër platformat sociale si “Facebook”, apo u dërgohen mediave, të cilat më pas i publikojnë ato.

    AME-ja ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se në cilëndo situatë rreziku ose kërcënimi nga fatkeqësitë natyrore apo edhe fatkeqësi tjera, ajo përgatit dhe publikon në faqen e saj zyrtare, ame.rks-gov.net, apele e njoftime për gjendjen e gatishmërisë, “me aktivizimin e resurseve për gatishmëri dhe reagim emergjent”. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!