Serbia është duke e konsideruar blerjen e shumicës së aksioneve të kompanisë Nafta Industrija Srbije (NIS) nga kompania ruse e energjisë Gazprom Neft, i ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç gazetës prestigjioze “Financial Times”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Presidenti serb Vuçiç tha se Serbia nuk dëshiron të varet aq shumë nga Rusia për energjinë, e cila aktualisht është nën sanksione ndërkombëtare për shkak të luftës në Ukrainë dhe se ai po përgatit gjashtë projekte duke pasur parasysh këtë, duke përfshirë bashkëpunimin më të ngushtë me Hungarinë.
“Është çmenduri që nuk kemi diskutuar për bashkëpunim dhe për të ndërtuar atë infrastrukturë më herët”, tha Vuçiç dhe shtoi se “ne në Evropë nuk jemi mësuar me luftëra, por tani situata është ndryshe. Pothuajse gjithçka ka ndryshuar. Prandaj jemi në nxitim”.
Serbia mbeti e ekspozuar pasi rusët morën kontrollin e NIS dhe pasi Beogradi nuk arriti të binte dakord për bashkëpunimin energjetik me furnizuesit e tjerë këtë vit.
Gjatë viteve të fundit, Serbia ka blerë të gjithë gazin dhe gjysmën e naftës nga Rusia.
Meqenëse një raund i ri sanksionesh do të godasë Rusinë në dhjetor të këtij viti, Kroacia nuk do të jetë në gjendje të dërgojë naftë ruse në Serbi. Nëse Brukseli anulon përjashtimin që i dha më parë Serbisë, NIS nuk do të jetë më në gjendje të bashkëpunojë me entitete nga Bashkimi Evropian.
Më pas, NIS do të jetë në gjendje të “fusë çelësin në bravë” sepse e merr të gjithë naftën e tij përmes Kroacisë.
Sipas pretendimeve të tre burimeve, disa grupe, duke përfshirë qeverinë serbe dhe kompaninë hungareze të energjisë MOL, kanë konsideruar blerjen e shumicës së aksioneve në NIS. Megjithatë, negociatat ngecën.
MOL nuk ka dashur të komentojë
NIS aktualisht po funksionon normalisht sepse ka përshtatur objektet e saj për të qenë në gjendje të përpunojë naftë nga Iraku dhe sepse Brukseli e ka përjashtuar atë nga sanksionet që vendosi ndaj Rusisë.
Vuçiç ka thënë se Serbia, duke qenë anëtare kandidate për anëtarësim në BE, duhet të konsideroj të gjitha opsionet, përfshirë edhe blerjen e NIS dhe bashkëpunimin me furnizues të tjerë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Po të kishte sanksione tjera ndaj kompanive ruse, do të përbënte problem të madh për neve. Ne duhet të veprojmë sidoqoftë. Duhet t’u sigurojmë qytetarëve tonë gaz dhe naftë. Nëse askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me NIS-in, atëherë ne duhet të marrin diçka, por nuk është puna këtu ende”, ka thënë Vuçiç./Reporteri.net/