Liderët shtetërorë të Turqisë nuk po e ndalin “gjahun” për gylenistë në shtetin që nuk e ka problem të ia zbatojë urdhrat – Kosovën.


Vetëm për pak ditë, dy bashkëpunëtorët më të ngushtë të presidentit turk Tayyip Erdogan vizituan e pritën liderë të vendit, duke theksuar edhe njëherë pengesën e vetme që ka mbetur sipas tyre. Përderisa Turqia po përdor të gjitha mekanizmat që ka në vend për të çrrënjosur atë që e quajnë “pengesa FETO”, liderët kosovarë po heshtin karshi kërkesave të tyre, raporton Gazeta Express.

Po në të njëjtin vit, kur Kosova mori kritika të mëdha për aksionin e arrestimit e deportimit të gjashtë shtetasve turq, liderët e shtetit kosovar pritën vizitën e parë zyrtare nga bashkëpunëtori i ngushtë i presidentit të Turqisë, Tayyip Erdogan.

Reklamë

Ministri i Jashtëm Mevlut Çavusoglu në vizitën e tij që pati në vend tetorin e kaluar nga ku u takua fillimisht me homologun e tij, ministrin Behgjet Pacolli, e pastaj me liderët tjerë, theksoi haptazi kërkesën e tij.

Në këmbim të mbështetjes miqësore dhe vëllazërore të Kosovës u kërkua edhe vendosmëri në luftën kundër organizatave të FETO-s.

“Ne nuk duam që Kosova t’i lejojë terroristët, të cilët kanë bërë puç në Turqi të jetojnë këtu. Ne presim që t’i ekstradojnë ata. Ne ata i konsiderojmë të rrezikshëm për Turqinë dhe sigurinë e Kosovës. Ne nuk do të lejonim që dikush në Turqi të bënte ndonjë veprimtari ilegale për Kosovën e lëre më ndonjë puç. Ne do t’i dorëzonim në Kosovë të gjithë ata që do të tentonin diçka të tillë”, kishte thënë Mevlüt Çavuşoğlu, teksa liderët e vendit që takoheshin me të edhe atëherë kishin heshtur karshi kësaj kërkese.

Duke qenë se Kosova është në listën e ngushtë të vendeve që iu përgjigjën kërkesës së Erdoganit për t’i deportuar ata që i konsideron terroristë, presidenti turk përmes vartësve të tij po ua kujton këtë liderëve të shtetit kosovar, duke i kujtuar dorëzime të reja.

Me po të njëjtin ministër që kërkoi haptazi në Kosovë që të çrrënjoset FETO është takuar këtë vikend në Stamboll Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. Këtë e ka bërë të ditur vetë Pacolli përmes llogarisë zyrtare në Facebook.

Reklamë

“Raportet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve tona, do të vazhdojnë edhe më tutje drejt avancimit. Turqia nëpërmjet ministrit të jashtëm fuqishëm rikonfirmon mbështetjen e gjithanshme për Kosovën”, shkruhet në postimin e Pacollit.

Mirëpo se a iu është bërë kërkesa e njëjtë si ajo që iu ishte bërë në vend, nga Çavuşoğlu po e mohojnë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj po e mohon se gylenistët ishin temë diskutimi.

“Jo absolutisht jo. As që ka qenë pjesë e diskutimit kjo punë. Takimi është karakterizuar për çështjet në interes të Kosovës në arenën ndërkombëtare për të cilat Turqia mund të japë mbështetje të madhe”, është deklaruar Zyberaj.

Reklamë

Përderisa liderët e vendit po thonë se nuk po marrin kërkesa të tilla nga diplomatët turk, këta të fundit po deklarohen ndryshe.

Ishte vetë ministri i Mbrojtjes Turke, Hulusi Akar, edhe ky një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Erdoganit që qëndroi ditë më parë në vend.

Teksa i njëjti theksoi që duhet të hiqet sa më shpejtë “pengesa FETO”, institucionet e vendit nuk pranojnë as të deklarohen e as që të sqarojnë se cila ishte përgjigjja e tyre kur u fol për temën e gylenistave.

Gazeta Express ka provuar që të marrë një qëndrim nga Ministria Mbrojtjes e Ministri Rrustem Berisha por këta të fundit nuk kanë dashur të prononcohen për këtë temë.

Reklamë

Megjithatë, top zyrtari turk e kishte të qartë kërkesën. “Me shpejtësi të heqim pengesën FETO mes nesh. Duhet të shpëtohemi sa më shpejt nga kjo”, u shpreh Akar, teksa kërkoi bashkëpunim për luftimin e organizatës FETO.

Edhe në Qeverinë e Kosovës po mohojnë se ministri Akar ka kërkuar një gjë të tillë në takimin që pati me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Pak ditë pas 1 vjetorit të parë kur Kosova u përkul nën urdhërat e Erdoganit, Kosova vazhdon të mbetet vend potencial për arrestim e deportim të gylenistëve.