×
  • Lajme
  • Lajme

    Abdullahu: Shkyçjet në ujësjellës të pashmangshme, Kosova ka edhe mungesë të resurseve ujore

    Reporteri
    07 Prill 2019 | 8:43

    Kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, ka paralajmëruar masa ndaj qytetarëve të cilët nuk i paguajnë shërbimet që i ofron kjo kompani. Ani pse është apeluar shumë herë për pagesën e ujit, KUR “Prishtina” po vazhdon të përballet me një vlerë të madhe që kapin mbi 40 milionë euro borxhe të qytetarëve.


    Ndonëse nga ato të hyra që ka, ujësjellësi po arrin të kthejë kreditë e mëdha për investime që janë marrë. Drejtori Ekzekutiv i KUR “Prishtina”, Ilir Abdullahu, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se nuk do të marrin të gjitha masat për shkyçje të konsumatorëve borxhlinj, ndonëse si kompani nuk e kanë të dëshirueshme.

    “Ne do të përdorim edhe nëpërmjet përmbaruesve por edhe masa të tjera si janë shkyçjet që konsumatorët të regjistrohen dhe të fillojnë të kryejnë obligimet që kanë ndaj ujësjellësit, kështu që ne shpresojmë, që konsumatori pas apeleve tona dhe pas brejtjeve që do i marrin, do të fillojnë dhe do të hyjnë në sistem që të kryejnë obligimet që i kanë ndaj ujësjellësit”, tha Abdullahu.

    Ai ka përmendura se e kanë të vështirë të bëhet shkyçje tek banimet kolektive, por për ato private duhet të aplikohet një gjë e tillë.

    “Në një mënyrë të planifikuar ka pas edhe ç’kyçje sidomos tek konsumatorët individual për arsye se në banime kolektive, qasja dhe shkyçja është më e vështirë. Mirëpo masat e shkyçjes për individualët duhet të aplikohen për arsye se duhet kryhen shërbimet pasi që ne planifikojmë që edhe obligimet që i kemi ndaj investitorëve dhe ndaj donatorëve që të kthehen mirëpo ne planifikojmë që të arrijmë shërbime duke bë rehabilitim të rrjetave pastaj duke ngritë shërbimet në cilësi shumë të lartë”, u shpreh Abdullahu.

    Abdullahu pohon se vazhdon të ketë abuzime me ujin e pijes, andaj edhe inkasimi për kompaninë është i domosdoshëm. Sipas tij, qytetarët duke paguar do të kenë edhe shërbime më të mira.

    “Të kemi inkasim shumë më të mirë njëkohësisht edhe të kemi një faturim shumë më të mirë dhe duke i lidhë këto dyja si tregues kryesor të një performancë të ujësjellësit, ne mendojmë që një pjesë vazhdon të abuzohet apo keqpërdoret sa i përket ujit të pijes, ndërsa pjesa e tjetër e riinkasimit, jemi të kënaqur por nuk i kemi pritshmëritë tona të cilat ne kemi menduar që pas një furnizimi 24 orë do kemi nga qytetarët një kthim dhe një rritje të inkasimi pasi që shërbimet vazhdojnë të jenë më të mira dhe me një ujë kualitativ”, tha ai.

    Sa i përket performancës së ujësjellësit “Prishtina”, Abdullahu thotë se ka rritje. Sipas tij, suksese e ujësjellësit janë të prekshme, duke arritur që të kthehen mbi shtatë milionë euro kredi që kanë marrë për fabrikën e ujit.

    “Kemi mbërri që të kthejmë kredinë diku mbi 7 milion euro që në total i kemi 20 milion nga fabrika dhe besoj që pastaj është dashtë që të mbahen të gjitha shpenzimet operative pastaj edhe shpenzimet e tjera dhe jemi kujdes që edhe investime tona kapitale të shpërndahen nëpër gjithë regjionin që ne e furnizojmë dhe menaxhojmë, kështu që kjo ka bërë që të kemi një inkasim dhe ka një shkallë të arritjes së inkasimit, por ka mundësi të bëhet shumë për arsye se ne presim, se borxhet e qytetarëve të ujësjellësit janë mbi 40 milion euro”, u shpreh Abdullahu.

    Problem sipas tij, është edhe mungesa e resurseve të mjaftueshme ujore në Kosovë, andaj sipas Kryeshefit Abdullahu, ujësjellësi “Prishtina”, varet vetëm nga reshjet të shiut dhe të borës në dy liqenet, atë të Batllavës dhe Badovcit.

    “Kosova nuk është një regjion i cili ka resurse të mjaftueshme ujore, ne varemi vetëm nga reshjet, shi dhe borë, dy liqenet si Batllava dhe Badovci, ku këtu nivelet edhe kanë rënë për arsye se reshjet kanë qenë të mangëta, ndërsa nuk ka kurrfarë mundësie teknike që kjo infrastrukturë të na vie nga ndonjë regjion apo shtet tjetër, kështu që kjo ka dallim nga infrastrukturat e tjera dhe këtë resurs dhe këto kapacitete që i kemi, duhet me i ruajt dhe menaxhuar dhe pastaj e rritë atë rëndësinë e madhe që konsumatori ti kryejë obligimet”, tha ai.

    Sfidë tjetër për KUR “Prishtina” është edhe humbjet e ujit. Sipas Abdullahut, po synohet që të reduktohen ato, ani pse me këtë problem ballafaqohen shumë vende të botës. Sipas tij, në pesë vitet e ardhshme është bërë strategjia që të bëhet reduktimi i humbjeve të ujit.

    “Ky tek në është një problem jo vetëm tek ne por edhe global, ku bota po ballafaqohet dhe kompanitë e ujësjellësit për arsye se reduktimi sidomos në Evropën juglindore por edhe në Ballkan janë duke u ballafaquar kush më shumë e kush më pak, mirëpo lëvizjet, apo humbjet tek shtetet përreth dhe në Ballkan janë diku në 40 për qind apo edhe mbi 50 për qind, ne jemi diku mbi 50 – 54 për qind, ndërsa planet tona tashmë janë të reduktohen në bazë të një strategjie të aprovuar edhe nga këshilli ndërministror i ujërave, ku kemi një plan rreth aktiviteteve që duhet të ndërmerren kështu që humbjet e ujit të bien. Besojmë që në 5 vitet e ardhshme në baze të një strategjie, këto humbje do të bien dhe mendoj që kemi disa plane me disa donatorë që të punojmë në këtë fushë qoftë në menaxhimin e presionit dhe matjeve të lagjeve që do jenë pikësëpari fillimi i asaj se në cilat zona kemi humbje më të mëdha”, thotë Abdullahu për Ekonomia Online.

    Kryeshefi Ekzekutiv i KUR “Prishtina” ka pohuar se në disa vende rrjeti i ujësjellësit është i vjetërsuar. Por sipas tij, po synohet që infrastruktura e vjetër të zëvendësohet me atë të re.

    “Ne kemi prej buxhetit të mbetur të fabrikës në Shkabaj, ne kemi planifikuar që tashmë po realizohet linja për Fushë-Kosovë, ku shpresojmë që java e parë ose e dytë e majit të lëshohet ujë, komplet në Fushë-Kosovën e cila një pjesë ka probleme me furnizim me ujë të pijes, pastaj planet tjera janë që të investohet në rrjetat e qytetit, janë disa zona në qytet që planifikohen për ti ndërruar rrjetat, për arsye se konsumatorët e dinë që në pjesët e Bregut të Diellit dhe në Tophane e në pjesën e Dardanisë e Ulpianës, janë komplet zona të reja, mirëpo hap pas hapi ne po mendojmë që edhe në Prishtinë e edhe në qytete të tjera, infrastrukturën e vjetër, ta zëvendësojmë në një infrastrukturë të re, për arsye që tashmë rrjetat që ne operojmë, janë ndoshta mbi 40 ose 50 vjeçar”, tha Abdullahu.

    Ai thotë se në një rrugë të mirë janë edhe për ndërtimin e impiantit për mbrojtjen e ujërave të Orllanit, jemi fokusu që të mbrohen liqejt akumulues. Sipas tij, së shpejti pritet të fillojë projekti për ndërtimin e impiantit me ujëra të zeza në Fushë Kosovë.

    “Në një rrugë të mirë është në ndërtim impianti për mbrojtjen e ujërave të Orllanit, jemi fokusu që të mbrohen liqenet akumulues, ndërsa për planet, ku jeni në dijeni që tashmë do fillon shumë shpejtë faza e projektit për rindërtimin e impiantit për trajtim të ujërave të zeza në Fushë-Kosovë që do të bënte trajtimin e ujërave të zeza për Prishtinë, Fushë-Kosovë dhe për Obiliq, mirëpo kjo do shkon në dy faza, njëra, faza e ndërtimit të impiantit ndërsa ajo tjetra do jetë rehabilitimi i kolektorëve në qytetin e Prishtinës”, u shpreh Abdullahu.

    Abdullahu ka thënë se impiantet do fillojnë edhe në lokalitete tjera, ku ujërat e zeza pa u trajtuar, hedhen nëpër pellgje lumore dhe krijojnë ndotje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!