×
  • Lajme
  • Lajme

    Acarim marrëdhëniesh mes Pahorit e Vuçiçit, shkaku i Kosovës – Ljubljana i kundërpërgjigjet Beogradit

    Reporteri
    06 Shtator 2022 | 10:11
    Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç

    Një turbulencë në raportet mes Serbisë dhe Sllovenisë doli në pah ditëve të fundit, kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në konferencë për media ngriti një dilemë të pazakontë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Si t’ia shpjegoj kombit tim që Serbia t’i vendosë sanksione Rusisë dhe jo Sllovenisë”, ka thënë Aleksandër Vuçiç.

    E tëra kjo, tha Vuçiç, ngase Sllovenia e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 2008, ndërsa Rusia jo.

    “Rusia nuk e shkeli integritetin territorial të Serbisë, Sllovenia po”, tha Vuçiç.

    Një deklaratë e tillë i ka shqetësuar autoritetet sllovene, ministria e jashtme e të cilës ka thirrur për intervistë ambasadorin serb në Ljubjanë, Zoran Vlatkoviç.

    Ministria e jashtme sllovene thanë se janë të habitur nga deklarata e presidentit serb, dhe se edhe njëherë ua ripërsërisin Beogradit qëndrimin e tyre ndaj njohjes së Kosovës.

    “Ne informojmë palën serbe se jemi tejet të habitur me deklaratën e Presidentit Vuçiç. Edhe njëherë, ne ua përçuam pozicionin tonë në lidhje me Kosovën, të cilën Sllovenia e ka njohur si shtet të pavarur”, ka thënë ministria e jashtme sllovene.

    “Në lidhje me këtë, ne shprehim pritshmëritë që Serbia të mos e problematizojë pozicionin tonë në të ardhmen në lidhje me Kosovën, sepse mbështetja sllovene ndaj Kosovës nuk është e drejtuar kundër Serbisë”, thuhet më tej në komunikatë.

    Por, çfarë ministria e jashtme sllovene shprehet si habia më e madhe, është ajo se, siç shprehen ata, “shprehim kundërshtimin tonë të fuqishëm ndaj barazimit të njohjes së Kosovës me agresionin rus kundër Ukrainës”.

    Mes tjerash, autoritetet sllovene shprehin edhe pritshmërinë e mirëmbajtjes së dinamikave të bashkëpunimit me Serbinë.

    “Duam që vendet tona të vazhdojnë marrëdhëniet miqësore dhe bashkërisht të shohin zgjidhje për çështje të hapura në Ballkanin Perëndimor, që do të ulnin tensionet në rajon. Kjo do të lejonte edhe Serbinë edhe Kosovën që të avancojnë afrimet e tyre me BE-në. Sllovenia do të vazhdojë të advokojë për komunikim me Serbinë në të gjitha nivelet”, thuhet në komunikatë, transmeton “Reporteri.net”.

    Por, çfarë e acaroi Vuçiçin të bëjë këso krahasimesh?

    Presidenti slloven, Borut Pahor, përndryshe një politikan që gëzon marrëdhënie të afërta me presidentin serb, këtij t’i fundit i tërhoqi vërejtjen në tri pika kyçe.

    Njëra, Pahor i kërkoi kategorikisht Vuçiçit që të distancohet nga konceptet shoviniste dhe fashiste të së ashtuquajturës “botë serbe”, që, siç ka thënë ai, jehojnë ngjyrime të së kaluarës së errët dhe trashëgimisë së koncepteve të “Serbisë së Madhe” të Slobodan Millosheviçit.

    E dyta, të shkëpusë mbështetjen ndaj politikave secesioniste dhe separatiste të anëtarit serb të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës dhe liderit nacionalist të Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik, i cili minon dhe rrezikon integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje-Hercegovinës, me ambiciet e tij për pavarësimin e entitetit serb.

    Tjetra, dialogu me Kosovën që për epilog ka njohjen e ndërsjellë përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme që të dy vendet i çon drejt unionit evropian.

    Pahor, këto komente ndaj Serbisë kohëve të fundit i ka bërë të zëshme nëpër forume ndërkombëtare e rajonale, si dhe në media.

    Kohëve të fundit Sllovenia ka emëruar edhe të dërguare të posaçme për Ballkanin Perëndimor./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!