×
  • Lajme
  • Lajme

    Agim Veliu flet pasi Vuçiq e përmendi në konferencë: Vendimi për targat është në fuqi, Kurti veç duhet ta zbatojë

    Reporteri
    21 Gusht 2022 | 17:14

    Autor: Blendi Gashi


    Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq në konferencën për media në Beograd që e mbajti sot pasi takoi katër kryetarët e komunave me shumicë serbe të Kosovës e ka nxjerrë para gazetarëve vendimin e ish-Ministrit Agim Veliu për shfuqizimin e tabelave KS që sipas tij janë të pranueshme për serbët pasi ato janë në përputhje me rezolutën 1244 dhe janë lëshuar nga UNMIK’u.

    Vuçiq tha se i ka propozuar Kurtit shfuqizimin e këtij vendimi për t’i kthyer targat KS si zëvendësim për ato që i lëshon Serbia për Kosovën (KM, UR, PR e të ngjashme), por tha se ky propozim është refuzuar.

    Gazeta Online “Reporteri.net”, ka biseduar me ish-ministrin Agim Veliu, tani deputeti i LDK-së, i cili ka folur për këtë vendim, për të cilin thotë se i mbetet Qeverisë Kurti ta zbatojë.

    Veliu në intervistën e dhënë për Reporteri.net ka folur edhe për takimin Kurti-Vuçiq, për vizitat e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, që po i bën çdo javë në veri , për shtiumin e forcave të NATO-s në veri, dhe reagimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, karshi zhvillimeve të fundit.

    Lexoni të plotë intervistën me deputetin e LDK-së, Agim Veliu:

    Presidenti serb, Vuçiq ka nxjerrë sot para gazetarëve vendimin që keni marrë ju si ministër i Brendshëm për shfuqizimin e tabelave KS. Na tregoni a keni pas presion për ta marrë atë vendim në atë kohë?

    Vendimi për shfuqizimin e tabelave KS ka ndodhur në vitin 2020. Atë kohë kam zhvilluar biseda edhe ndërkombëtarët, e kam arsyetuar vendimin që e kam marrë dhe ka mbet në fuqi, pjesa që më takon mua e kam zbatuar. Qeveria Kurti duhet vetëm ta zbatojë atë vendim. Nuk ka as çka të bej spektakle as asgjë tjetër. Le të ecë përpara. Qeveria do të duhej me këmbëngul që vendimi të zbatohet. Kam vërejtje e dyshime në këtë qeveri por dështimin nuk ia dëshiroj në këtë drejtim.

    Kanë mbetur edhe 10 ditë deri në hyrjen në fuqi të implementimit të  reciprocitetit për dokumente me Serbinë. Çfarë pritni të ndodhë më 1 shtator?

    Dëshiroj që Qeveria e vendit tim të zbatojë vendimin. Se a do të lëshoj pe, këtë po e shohim çdo ditë, sepse po i ndërrojnë qëndrimet e premtimet. Mund të ndodhë edhe në shtator të ketë ndonjë lëvizja si ndodhi në fund të korrikut.

    Kurti së fundmi u takua në Bruksel me Vuçiqin por nuk arritën ndonjë marrëveshje. Sipas jush si u paraqit kryeministri ynë?

    Ai (Kurti) nuk po këmbëngul në çështjen kryesore që është zgjidhja e problemit të Kosovës me njohje, por po hap tema periferike që po na kthejnë mbrapa. Nuk është në atë kërkesën për njohjen, pra diskutimi duhet të bëhet për njohje e jo për tema të caktuara.

    A pritni të arrihet ndonjë marrëveshje në takimin e radhës që është paralajmëruar para 1 shtatorit?

    Nuk pres që do të arrihet ndonjë marrëveshje në takimet e radhës, sepse po hapen biseda për çështje më periferike e jo për njohje.

    Ku ka dhënë premtime se nuk takohet me Vuçiqin pa marrë  përgjigje për të pagjeturit, por tash po shkon në takime edhe pse nuk ka marrë përgjigje për të pagjeturit.

    Si i keni parë vizitat e ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, në veri?

    Janë vizita më tepër spektakël,e nuk e kanë ndonjë efekt, përveç që provokojnë situata të padëshiruara që ky ministër nuk mund t’i dalë zot. Pra janë spektakle të panevojshme që nuk duhet të bëhen.

    Fatkeqësisht (Sveçla) nuk po e kryen detyrën e tij, si ministër, ky më tepër po luan rolin e policit, ose drejtorit apo zëdhënësit të policisë, nuk po merret me punë të tij, pjesa operative është e policisë, e profesionistëve jo e ministrit. Ai nuk është i zoti me krye punën e tij e merret me të tjerëve.

    Po vendosjen e trupave shtesë amerikane në veri?

    Është në kuadër të përgjegjësive që i kanë, janë kompetent për ruajtjen e stabilitetit të kufijve në përgjithësi, në përputhje me mandatin që e kanë.

    Po reagimet e kryetarit tuaj të partisë, Lumir Abdixhiku, për zhvillimet e fundit si i keni lexuar?

    Po lajmërohet me disa postime, po i konstaton autogolat e Kurtit, por një opozitar që pretendon të vijë në pushtet me autogola, duhet të pret gjatë. /Reporteri.net/.

     

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!