Një person ka humbur jetën të enjten në fshatin Ngucat të Malishevës, pasi dyshohet se ka rënë nga një rimorkio derisa ishte duke punuar.
Rastin e ka konfirmuar për mediat zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi.
Sipas Policisë, rreth orës 17:20, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Malishevë ka njoftuar se një person ishte dërguar atje pa shenja jete.
“Njësitë relevante të Policisë i janë përgjigjur menjëherë rastit, ku dyshohet se një person mashkull i moshës madhore, në fshatin Ngucat të Malishevës, duke punuar ka rënë nga rimorkioja dhe si pasojë e lëndimeve ka humbur jetën”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, ndërsa për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit.
Policia ka bërë të ditur se, në koordinim me prokurorin, po vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.