Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka nisur një aksion të përbashkët për mbikëqyrjen e bizneseve që shesin produkte përmes platformave online.

Aksioni po zhvillohet nën koordinimin e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Sipas njoftimit të Ministrisë, inspektimet janë përqendruar te produktet që janë në proces të transportimit drejt konsumatorëve përmes shërbimeve postare, me qëllim të verifikimit të ligjshmërisë së veprimtarisë së bizneseve që ushtrojnë shitje online.

Reklamë

Gjatë kontrolleve po verifikohet nëse bizneset janë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), nëse për produktet e shitura lëshohet kupon fiskal dhe nëse ato shoqërohen me deklaracionin e prejardhjes dhe dokumentacionin tjetër të kërkuar me ligj.

Në këtë aksion janë angazhuar 11 ekipe inspektuese, të cilat kanë vepruar në tetë komunat kryesore të Kosovës.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Ministria, vetëm gjatë ditës së hënë janë realizuar gjithsej 23 inspektime. Prej tyre, gjashtë lëndë janë përfunduar, ndërsa 17 të tjera mbeten në procedurë.

“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me institucionet partnere, do të vazhdojë aktivitetet e tilla me qëllim të garantimit të konkurrencës së drejtë, mbrojtjes së konsumatorëve, parandalimit të praktikave të paligjshme tregtare dhe sigurimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.