Organizata “QIKA” ka realizuar një aksion para Ministrisë së Drejtësisë, të drejtuar nga ministrja Donika Gërvalla, duke kërkuar dorëheqjen e saj.

Anëtaret e kësaj organizate kanë hedhur mjete tymuese në hyrje të ministrisë, në shenjë proteste pas rastit tragjik në Pejë, ku Arlinda Zekaj dyshohet se u vra me sëpatë nga kunati i saj, vetëm tri ditë pasi i kishte drejtuar një letër Prokurorisë për të kërkuar ndërmarrjen e masave lidhur me rastin e saj.

Përmes një reagimi, “QIKA” ka bërë të ditur se në Ministrinë e Drejtësisë kanë vendosur mesazhe dhe pjesë nga deklaratat e Arlinda Zekajt, për t’ia rikujtuar ministres Gërvalla, e cila është edhe Koordinatore Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës.

Reklamë

“Sot, në Ministrinë e Drejtësisë, vendosëm disa mesazhe dhe pjesë nga deklaratat e Arlinda Zekajt, për t’ia rikujtuar ministres së Drejtësisë dhe Koordinatores Nacionale për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, Donika Gërvalla, se përgjegjësia institucionale nuk mund të shmanget duke ia bartur fajin viktimës”, thuhet në reagimin e organizatës.

Sipas “QIKA”-s, Arlinda kishte kërkuar ndihmë nga institucionet që kishin për detyrë ta mbronin, por, siç thuhet në reagim, shteti e kishte braktisur.

“Gërvallës ia rikujtuam se Arlinda ka kërkuar ndihmë aty ku duhej. Ka trokitur në dyert e institucioneve që kishin për detyrë ta mbronin, por shteti e braktisi”, thuhet më tej në reagim.

Organizata ka kritikuar gjithashtu deklaratat e ministres, duke i cilësuar ato si skandaloze, dhe ka kundërshtuar relativizimin e përgjegjësisë dhe fajësimin e viktimave.

“Deklaratat skandaloze, relativizimi i përgjegjësisë dhe fajësimi i viktimave nuk mund të kalojnë në heshtje. Donika Gërvalla duhet të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqje!”, përfundon reagimi i “QIKA”-s.

Reklamë