Një person ka vdekur sot në vendin e tij të punës në fshatin Dubravë të Istogut. Për rastin është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë përgjegjësi i punëtorëve, pas intervistimit nga Policia.

Lajmin e ka ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

Ai ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur të martën në mëngjes, ndërsa njësitë përkatëse policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes për të hetuar rrethanat.

Reklamë

Sipas Rugovës, viktima është dërguar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Istog, ku ekipi mjekësor ka konstatuar se kishte arritur pa shenja jete.

“Viktima është dërguar në QKMF-Istog, aty nga ekipi mjekësor është konstatuar se kishte arritur pa shenja jete. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si ‘Asgjësimi, Dëmtimi ose Heqja e Pajisjeve Mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’”, ka deklaruar Rugova.

Ai ka shtuar se Policia ka intervistuar përgjegjësin e punëtorëve, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rrethanat e vdekjes janë duke u hetuar.