Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se ka pezulluar nga detyra zyrtarët ndaj të cilëve Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas Ministrisë, rasti lidhet me periudhën 2017–2019 dhe me një kontratë për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale.
“Rasti lidhet me periudhën 2017–2019 dhe me kontratën për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.
Sipas aktakuzës, aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara kanë arritur në mbi 5 milionë euro.
Ministria ka theksuar se bëhet fjalë për mjete publike dhe ka kërkuar që drejtësia të përfundojë sa më shpejt procedurat dhe të përcaktojë përgjegjësinë.
“Këto janë para të qytetarëve dhe përgjegjësi publike, andaj presim që drejtësia ta thotë sa më shpejt verdiktin përfundimtar dhe të mbajë përgjegjës secilin që ka abuzuar me mjetet e taksapaguesve”, thuhet në njoftim.
Nga Ministria kanë deklaruar se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe se buxheti publik duhet të menaxhohet vetëm në përputhje me procedurat dhe rregullat ligjore.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe buxheti nuk mund të trajtohet ndryshe përpos sipas procedurave dhe rregullave të parapara”, thuhet më tej.
Ministria ka bërë të ditur se do t’u ofrojë bashkëpunim të plotë organeve të drejtësisë për çdo informacion lidhur me rastin.
Po ashtu, ajo ka paralajmëruar forcimin e kontrollit, mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet e institucionit.
“Ne do të punojmë fort që ta forcojmë kontrollin, mbikëqyrjen dhe llogaridhënien në çdo nivel të Ministrisë dhe çdo dyshim serioz për keqpërdorim do të trajtohet me përgjegjësinë më të lartë institucionale”, thuhet në komunikatë.