×
  • Lajme
  • Lajme / Krimet e luftës

    Aktakuzë ndaj 53 personave për masakrën e Mejës, u ekzekutuan 370 civilë shqiptarë

    Reporteri
    08 Dhjetor 2023 | 14:34

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë  ndaj 53 personave për masakrën e Mejës dhe fshatrave të regjionit Reka e Keqe, të Komunës së Gjakovës.

    Prokuroria njofton se për këtë krim janë akuzuar pesëdhjetë e të pandehur prej të cilëve 16 ishin të pozicionuar në strukturat të rëndësishme ushtarake dhe policore të Serbisë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Sipas Prokurorisë Speciale,  periudhën 27-29 prill 1999, ishte zhvilluar një operacion i përbashkët dhe mirë i organizuar i UJ-së dhe MPB-së, në të cilin morën pjesë edhe anëtarë të grupeve paramilitare. Në atë operacion janë vrarë treqind e shtatëdhjetë (370) civilë që nuk merrnin pjesë në luftime në momentin e vrasjes.

    Përveç vrasjeve, operacioni përfshinte dëbimin e mijëra civilëve nga ai regjion, djegien e shtëpive të tyre dhe dërgimin e dhunshëm për në Shqipëri. Këto dëbime ishin të përfshira me keqtrajtime dhe konfiskime të dokumenteve personale të dëbuarve.

    Të pandehurit me aktakuzë akuzohen për vepër penale në bashkëkryerje, Krimet e luftës kundër popullsisë civile nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, aktualisht e inkriminiuar si Krimet kundër njerëzimit nga neni 143 paragrafi 1 pika 1.1, 1.2, 14, 1.6, 1.8, 1.9 nën paragrafi 1.4, 1.6, dhe 1.7 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    Gjatë ditës në një konferencë për media, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se deri më tani kanë ngritur 33 aktakuza për krime të luftës, kundër 89 personave.

    Prokurorja , Drita Hajdari në adresimin para mediave, tha se pasur vështirësi pasi kryerësit e krimeve ishin në Serbi ndërsa viktimat dhe dëshmitarët në Kosovë.

    “Deri tani prokurorët vendor kanë ngritur 33 aktakuza me 89 persona, me marrjen e kompetencave ishim ballafaquar me probleme të shumta sidomos me rrethanën se kryerësit e këtyre veprave penale nuk kanë qenë në Kosovë shumica prej tyre kanë qenë në Serbi dhe viktimat e dëshmitarët janë në Kosovë dhe kjo ka paraqitur një vështirësi të madhe për ngritjen e aktakuzave sepse nuk kemi mundur të ngrijmë akuza pa i marrë në pyetje të pandehurit, po kjo rrethanë nuk ka ndalur, ne i kemi zhvilluar hetimet i kemi siguruar provat i kemi intervistuar dëshmitarët madje i kemi siguruar edhe provat relevante nga Tribunali Ndërkombëtarë Penal për Ish-Jugosllavinë”, ka deklaruar Hajdari. /Reporteri.net/

    Krimet e luftës, Prokuroria Speciale ka ngritur 33 aktakuza kundër 89 personave

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!