×
  • Lajme
  • Lajme

    Aktakuzë ndaj kosovarit nga Drenasi, kërcënoi kryeministrin Haradinaj

    Reporteri
    04 Prill 2019 | 15:24

    Një qytetari nga Drenasi i kanë kushtuar publikimet kërcënuese dhe propaganduese në rrjete sociale. Të pandehurit B.E i është ngritur sot aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.


    Këtë gjë e kanë konfirmuar vetë Prokuroria Speciale, duke bërë të ditur se ndaj tij rëndojnë d yakuza, që lidhen me shtytje për kryerjen e veprave terroriste si dhe posedim të armëve të paautorizuara, shkruan Reporteri.net.

    “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës PSRK, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Departamenti i Krimeve të Rënda, ndaj të pandehurit B.E, nga Komuna e Drenasit, për shkak të veprave penale: “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” nga neni 141 të KPRK-së, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri B.E, nga muaji gusht i vitit 2018 e deri në muajin janar të vitit 2019, si administrator i një kanali në rrjetet sociale, me anë të fotografive dhe video – incizimeve ka bërë propagandim në lidhje me organizatën terroriste “ISIS”, duke përkrahur haptazi veprimet e tyre terroriste siç janë sulmet e fundit  në botë në krijimin e shtetit Islamik.

    Po ashtu, i pandehuri B.E, më 23.08.2018, përmes po të njëjtit kanal  ka postuar foton e animuar me mbishkrim: “Melodia e parapëlqyer e Muxhahidit është zëri i qafirit gjatë heqjes së kokës”, dhe më 10.01.2019, përmes kanalit të njëjtë ka postuar foto me përmbajtje kërcënuese ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Ramush Hradinaj me mbishkrim “DO T’JU VIJË FUNDI O TAGUTA SHQIPTAR BI’ IDHNILAH”, i bërë nga një person i maskuar e ku në prapavijë shihet flamuri i organizatës terroriste “ISIS”.

    Gjithashtu, më 11.01.2019, në Drenas në vend publik me rastin e ndaljes dhe kontrollimit nga ana e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës – DKT në Prishtinë, është vërtetuar se i njëjti në kundërshtim me nenin 2 nën paragrafi 1.24 të Ligjit për Armët në Kosovë, ka mbajt dhe bart në trup një armë të ftohtë –  thikë luftarake e përshtatshme për shkaktimin e lëndimeve trupore dhe e njëjta i është sekuestruar./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!