Pas formimit të qeverisë së re serbe, e cila ishte tejet simbolike dhe ku nuk pati më ministra që haptazi avokojnë pozicione pro-ruse, çështja u ngrit se çfarë drejtimi po merr Serbia për të ardhmen e saj, shkruan Al Jazeera Balkans, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Kursi politik është i habitshëm, përshkak se në konvokimin e ri gjithashtu ka disa fytyra të njohura që njihen për diskursin pro-perëndimor të tyre, gjë që për këtë arsye disa analistë nxorën konkluzione se Aleksandar Vuçiç krijoi një qeveri që mund të jetë neutrale.

Por, a është në të vërtetë një politikë e tillë ajo çfarë Vuçiç ka zgjedhur apo ka të bëjë me diçka krejtësisht tjetër. Respektivisht, në disa paraqitje publike, kryesisht në televizione “miqësore me të” në frekuenca kombëtare, presidenti serb ka lënë të kuptohet se shteti i tij duhet të përgatitet për tërmete të mëdha dhe se kanë para dilema dhe vendime të mëdha.

Reklamë

Menjëherë pas kësaj nisën spekulime nëse, diku fshehtazi, është konkluduar një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe çështja nisi të ngritej rreth asaj se çfarë do të merr Serbia në këmbim të kësaj.

“Qeveria tranzitore e Vuçiç’it”

Duke folur më herët për Al Jazeera Balkans, analisti politik Dushan Janjiç theksoi se “Vuçiç krijoi një qeveri tranzitore” përmes të cilës ai po provon të ndërrojë drejtimin e Serbisë, prej Rusisë dhe Kinës drejt Bashkimit Evropian.

“Vuçiç po provon ta kthejë atë anije – të cilën e lundronte neutralisht, supozivisht ushtarakisht neutrale, dhe esencialisht pro-ruse e kundër-perëndimore – tani, pasi stuhia është e madhe dhe anija ka devijuar, kjo manovër është e qartë që duhet kryhet dhe gradualisht, prandaj ai nisi këtë qeveri tranzitore”, ka thënë Janjiç.

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm, Aleksndar Popov, në anën tjetër, mendon se situata nuk është e njëanshme dhe se lëvizjet që po bën Vuçiç janë paksa misterioze.

Reklamë

Është e vërtetë se nuk ka më ministra të shquar pro-rus në qeveri, thotë Popov, por ende ka një numër të konsiderueshëm të njerëzve që avokojnë interesa ruse, mbi të gjitha ministrat që vinë nga Partia Socialiste Serbe e Ivica Daçiç (SPS).

“Në fakt, kur qeveria e re u propozua dhe u zgjodh, u pa që ata të cilët ishin më të ekspozuar, në njërën anë, në të mirë të Rusisë, dhe në anën tjetër, ata në të mirë të Perëndimit, pikërisht u dëbuan të parët. Në rend të parë kam ndërmend Aleksandar Vulinin dhe Zorana Mihajlloviçin, prandaj në këtë anë duket se ka qeveri neutrale. Nuk është krejtësisht e vërtetë që njerëzit pro-rus janë përjashtuar. Nuk ka më Nenad Popoviç, por kjo është sepse SPS është në qeveri me tri pozicione ministrore, dhe ata llogariten si njerëz pro-rus. Por kjo nuk do të duhej të tregonte ndogjë sepse politika e jashtme dhe të gjitha politikat e tjera, e veçanërisht politika e jashtme, udhëhiqen nga vetë Aleksandar Vuçiç”, thotë Popov.

Vuçiç do të vazhdojë të jep fjalën kryesore

Se çfarë do të ndodh në vijim, veçanërisht kur është puna te politika e jashtme dhe njohjen e statusit të Kosovës si shtet i pavarur, kjo është ajo çfarë do t’i kërkohet Aleksandar Vuçiç’it më së shumti, thotë Popov, duke qartësuar se “jo gjithçka do të varet nga ai”, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Reklamë

Ajo që është problemi më i madh në politikën aktuale serbe është fakti se në dekadën e fundit të aktivitetit të saj, është ushqyer narrativa ekskluzivisht e promovuar në idenë e mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Për dhjetë vite ka pasur narrativë se as që bëhet fjalë të njihet Kosova, por përkundër  asaj që nuk do të ketë ndonjë koncesion, gjatë kohës së negociatave janë bërë një numër koncesionesh, dhe tani ka një kontestim në diçka që është teknike por edhe çështje simbolike – çështja e targave me simbolet e shtetit. Në një gazetë, e pash një deklaratë të Ivica Daçiç që nuk bëhet fjalë njohja e pavarësisë së Kosovës. Ai madje edhe kalkuloi se nga 190 shtete të OKB-së, vetëm 83 do të ishin në favor të pranimit të Kosovës në OKB”, thotë Popov.

Kosova mund të hyjë në Kombet e Bashkuara, beson ai, sipas “modelit të dy Gjermanive”, vetëm nëse Serbia jep pëlqimin e fshehtë për një zgjidhje të tillë dhe zhbllokon procesin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

“Ky është varianti tjetër i aplikimit të modelit të dy Gjermanive, i cili aktualisht është në lojë, që do të thotë se nuk do të kishte njohje të Kosovës, por Serbia nuk do t’i rezistonte pranimit në OKB. Tani kemi atë pengesë, që është Një numër jo i vogël i anëtarëve që nuk janë pro dhe ne kemi rregullin që duhet të kalojë përmes Këshillit të Sigurimit dhe dy do të votojnë kundër – Kina dhe Rusia. Përveç nëse Serbia jep një shenjë se nuk do të kundërshtojnë dhe në atë rast mund të ndodhë që Kosova të hyjë në OKB nga dera e pasme”, shpjegon Popov, transmeton Reporteri.net.

Reklamë

Politika e kryer “prapa perdeve”

Popov thotë se nëse po ndodhin disa procese që të çojnë në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia, kjo po bëhet thellë pas shpine të publikut. Ai është i bindur se ka një mospërputhje të madhe mes asaj që thonë politikanët në publik dhe asaj që ndodh “pas perdes”.

Një problem i veçantë në atë proces është sigurisht mënyra se si do të pozicionohet anëtarësimi i Partisë Progresive Serbe (SNS) dhe grupeve të tjera fort nacionaliste në shoqërinë serbe dhe politikën serbe sipas njohjes eventuale të pavarësisë së Kosovës.

“Problemi këtu është se shumica e gjërave ndodhin pas perdes. Ajo që ne shohim në deklaratat e politikanëve është një gjë, dhe ajo që ndodh pas perdes është një gjë tjetër. Sigurisht që ka shumë presion nga SHBA-ja dhe BE-ja dhe publiku ynë nuk është i përgatitur për këtë, sepse Vuçiç vazhdon të thotë: ‘Ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës’”.

Reklamë

“Sigurisht që do të na duhet të bëjmë disa lëshime. Ata do të vazhdojnë tregimin se ‘ne nuk e njohëm pavarësinë e Kosovës, por nuk arritëm ta pengojmë hyrjen e saj në OKB’, dhe sa do të jetë e pranueshme për anëtarët e SNS-së dhe nacionalistët e tjerë – do ta shohim. Por kjo mund të jetë problem sepse një atmosferë e tillë është krijuar për dhjetë vjet”, përfundon Popov./Reporteri.net/