Ambasada e Gjermanisë në Kosovë ka uruar Albin Kurtin për rizgjedhjen e tij në postin e Kryeministrit.

Sipas njoftimit, menjëherë pas përfundimit të seancës parlamentare, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane, Christian Böttcher, ka përcjellë urimet e Ambasadorit për konstituimin e suksesshëm të Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Në reagim theksohet se Gjermania synon të vazhdojë dhe ta thellojë më tej bashkëpunimin e ngushtë me Kosovën në fusha kyçe si ekonomia, siguria, politika dhe zhvillimi i qëndrueshëm.

Reklamë

“Kosova ka në Gjermani jo vetëm një mik, por një partner të fortë dhe të besueshëm”, thuhet në mesazhin e Ambasadës.

Po ashtu, Gjermania ka shprehur gatishmërinë për të punuar së bashku në mbështetje të integrimit euro-atlantik të Kosovës, duke i uruar Kurtit suksese në mandatin e ri.