×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadat e Kosovës të mbushura me emërime politike

    Reporteri
    17 Mars 2019 | 10:45

    Shumë emërime politike në postet diplomatike janë bërë muajve të fundit, derisa gjatë ditëve të ardhshme pritet edhe zyrtarisht që disa të marrin detyrën pas agrementit që do ju bëhet nga vendet pritëse.


    Së fundi në media janë publikuar emrat e disa nga të emëruarit, por edhe atyre që priten të marrin detyrën e re, siç është edhe shefi i stafit të Qeverisë Haradinaj, Avni Arifi, i cili u dekretuar pak ditë më parë nga Presidenti si Ambasador i Kosovës në Emiratet e Bashkuar Arabe.

    Por edhe disa ish-zyrtarë të Qeverisë Haradinaj janë emëruar ambasadorë më parë. Gjergj Dedaj është dekretuar ambasador në Maqedoni, ndërkaq Arbër Vllahiu, anëtar i AAK-së dhe ish-zëdhënës i Zyrës së Kryeministri Haradinaj, aktualisht është shef i misionit diplomatik në Republikën Çeke.

    Në listën e të emëruarve të fundit është edhe Shkëndije Geci-Sherifi, e cila u emërua Ambasadore e Kosovës në Suedi, derisa në të kaluarën ishte Ambasadore në Kroaci.

    Që nga viti i kaluar Kosova ka mbetur pa ambasadorë në Mbretërinë e Bashkuar, Arabia Saudite, Australi, Shqipëri dhe Slloveni.

    Në Tajlandë pritet të rehatohet këshilltari i Enver Hoxhajt, Muhamet Brajshori.

    Zyra në Serbi ka mbetur paasnjë shef tash e një kohë.

    Këto emërime kanë bërë që diplomacia kosovare tani të jetë në pikën më të ulët që ka pasur ndonjëherë vendi ynë.

    Kështu vlerësohet nga ish-ambasadori Sabri Kiçmari, i cili, duke folur për Syri.net Kosova, tha se është shqetësuese mënyra se si politika e jashtme po drejtohet dhe mënyra se si po dërgohen në misionet diplomatike politikanë pa përvojë në fushën e diplomacisë.

    “Është shumë shqetësuese mënyra se si po drejtohet politika e jashtme dhe në mënyrë të veçantë është shqetësuese mësymja marramendëse për të dërguar në misione diplomatike, në nivel të shefave, politikanë pa përvojë në fushën e diplomacisë, panjohje të mjaftueshme në komunikimin diplomatik dhe pa një dije të veçantë, që do të ndihmonin në krijimin e imazhit të Kosovës”.

    Kiçmari thotë se tani është një numër shumë i madh i ambasadorëve të cilët vijnë nga paritë politike dhe Kosova ka vetëm dy ambasadorë të karrierës.

    “Nëse ndalim i shikojmë këto emërime,shohim se më shumë ka ambasadorë që vijnë nga partitë politike. Kosova ka vetëm dy ambasadorë karriere e që kanë gradën ambasador, por janë dhe pesë ambasadorë të tjerë, të cilët janë diplomatë, por nuk e kanë gradën e ambasadorit, por janë në misione. Deri më tani 14 janë ambasadorë politikë dhe një gjë e tillë pa asnjë dilemë është e papranueshme, qoftë në aspektin ligjor, por edhe diplomatik”, përfundon Kiçmari.

    Edhe analisti politik Naim Rashiti, thotë se emërimet politike ose farefisnore në diplomacinë kosovare janë pazare politike nga gjitha qeveritë që ka pasur vendi.

    Sipas Rashitit, politika e jashtme është në situatën më të vështirë që ka pasur deri më tani, pasi që nuk është në prioritetin e Qeverisë.

    “Qeveria aktuale si ato të kaluarat nuk e kanë në prioritet politikën e jashtme që është thelbësore për një shtet të ri që ka nevojë për konsolidim. Zhvillimet e brendshme politike janë duke reflektuar edhe në diplomacinë tonë. Përkundër që MPJ-ja ka disa persona të duhur për t’u angazhuar në misione diplomatike, një gjë e tillë nuk po ndodh. Këto pozita më shumë shihen për rehatimin e të afërmeve farefisnorë, por edhe partnerëve politikë”, u shpreh Rashiti.

    Kurse kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Kosovës se ky politizim i shërbimit të jashtëm është duke e dëmtuar jashtëzakonisht shumë përpjekjet e Kosovës për fuqizimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar.

    “Politizimi i skajshëm i shërbimit të jashtëm dëmton jashtëzakonisht shumë përpjekjet e Kosovës për të fuqizuar subjektivitetin e saj ndërkombëtar. Ne si komision e kemi ngritur vazhdimisht këtë çështje në mënyrë që të respektohet ligji dhe të ndalen praktika të tilla të partizimit të këtij shërbimi i cili duhet të bazohet në profesionalizëm”.

    Syri.net Kosova ka pritur për disa ditë të marrë një përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme në lidhje me këto emërime, mirëpo nuk janë përgjigjur.

    Sipas Ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Kosovës, kërkohet që së paku 50% e ambasadorëve të emëruar të jenë ambasadorë të karrierës, ndërsa pjesa tjetër të jenë të emëruar politikë.

    Por ky ligj tashmë është shkelur me të dy këmbët. Listën e plotë e ambasadorëve të Kosovës.

    Belgjikë – Bernard Nikaj (Ish-ministër nga AKR)
    Bullgari – Edon Cana? (Anëtar i PDK-së dhe dhëndërr i Vlora Çitakut)
    Çeki – Arbër Vllahiu (Anëtar i AAK-së dhe ish-zëdhënës i zyrës së Kryeministrit Haradinaj)
    Emiratet e Bashkuara Arabe – Avni Arifi (Anëtar i AAK-së dhe shef i kabinetit të Kryeministrit Haradinaj)
    Francë – Qëndrim Gashi (Ish-këshilltar i Atifete Jahjagës dhe ish-anëtar i FER)
    Gjermani – Beqë Cufaj (Anëtar i AAK-së)
    Hungari – Shpend Kallaba (dhëndërri i Memli Krasniqit nga PDK)
    Itali – Alma Lama (Deputete e LDK-së)
    Japoni – Leon Malazogu (Ish-këshilltar i Hashim Thaçit)
    Kroaci –Gëzim Kasapolli (Ish-këshilltar i Kadri Veselit)
    Maqedonia e Veriut – Gjergj Dedaj (Zëvendës ministër në MPJ dhe drejtues i partisë PLK në Kosovë)
    Holandë – Lirim Grajiçevci (Anëtar i PDK-së)
    SHBA – Vlora Çitaku (Anëtare e PDK-së, ish-ministre e Integrimeve Evropiane)
    Zvicër – Nazane Breca (Ish-deputete e LDK-së në ligjislaturën 2010-2014)
    Ambasadorët pa gradë diplomati janë:

    Senegal – Ramadan Gashi
    Portugali – Ylber Kryeziu
    Panema – Zana Rudi
    Kanada – Lulzim Hiseni
    Mali i Zi – Skender Durimishi
    Ambasadorë të karrierës

    Turqi – Avni Spahiu
    Slloveni – Sami Ukelli
    Pa ambasadorë janë këto misione diplomatike:
    Shqipëria
    Sllovenia
    Mbretëria e Bashkuar
    Arabia Saudite
    Australia

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!