×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori Ajeti: Kosova e Gjermania me marrëdhënie speciale të përhershme

    Reporteri
    07 Dhjetor 2021 | 10:06

    Në pallatin presidencial Bellevue në Berlin, Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Gjermani, dr. Faruk Ajeti, ia ka dorëzuar letrat kredenciale Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, dr. Frank-Walter Steinmeier, duke u akredituar kështu si Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Kosovës në Gjermani.

    Ambasadori Ajeti gjatë ceremonisë akredituese u prit me nderime të larta shtetërore nga presidenti gjerman Steinmeier.

    Gjatë ceremonisë së akreditimit dhe audiencës Presidenti Steinmeier i ka uruar mirëseardhje Ambasadorit Ajeti me rastin e fillimit të misionit diplomatik në Berlin, duke shprehur konsideratën e tij të lartë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe duke vënë në pah mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën dhe përkushtimin e saj ndaj perspektivës euro-atlantike.

    Në një bisedë të përzemërt Presidenti Steinmeier dhe Ambasadori Ajeti diskutuan mundësitë e thellimit dhe avancimit të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, ekonomik dhe kulturor.

    Gjatë fjalës së tij, Ambasadori Ajeti i përcolli Presidentit Steinmeier përshëndetjet e përzemërta të Presidentes së Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani-Sadriu, duke ritheksuar raportet e shkëlqyeshme ndërmjet dy shteteve.

    “Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie speciale dhe do të kenë miqësi të përhershme. Gjermania mbetet për Republikën e Kosovës një partnere strategjike dhe aleat i dëshmuar historik i vendit dhe qytetarëve të saj”, ka theksuar Ambasadori Ajeti.

    Në ceremoninë zyrtare në Pallatin Bellevue, Ambasadori Ajeti ishte i shoqëruar nga bashkëshortja.

    Ambasadori Ajeti është ambasadori i katërt i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!