×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori amerikan thirrje komunitetit serb: Qëndroni në Kosovë bashkë me komunitetet tjera dhe punoni për paqe

    Reporteri
    01 Maj 2019 | 19:55

    Ambasadori amerikan, Philip Kosnett, ka qëndruar sot në dy komunat me shumicë serbe në Kosovë, Partesh dhe Gracanicë, me ç’rast ka thënë se është e rëndësishme që serbët të jetojnë në shtëpitë e tyre dhe të kontribuojnë në të ardhmen e Kosovës.


    “Vizitova Graçanicën dhe Parteshin, takova kryetarët e komunave Popoviç dhe Petkoviq, sipërmarrësit serbë të Kosovës dhe Shoqatën e Grave në Biznes – një nismë shumëetnike e mbështetur nga @UsaidKosova. Kosova ka nevojë për më shumë bashkëpunim tregtar midis komuniteteve për të ndërtuar një të ardhme të begatë për të gjithë”, ka shkruar Kosnett në Twitter, duke treguar për vizitën në këto dy komuna.

    Ambasadori amerikan ndërkaq në një intervistë për RTV Kim ka deklaruar se serbët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë në Kosovë dhe bashkë më komunitetet e tjera të punojnë në paqe, shkruan Reporteri.net.

    “Dua të jem optimist për të ardhmen e komunitetit serb në Kosovë. Mendoj se është e rëndësishme që serbët të vazhdojnë të jetojnë këtu. Është gjithashtu e rëndësishme që ata të ndjehen të mirëpritur. Duhet të ketë një të ardhme në Kosovë ku pjesëtarët e të gjitha komuniteteve mund të ndjehen në shtëpi – ata mendojnë se mund të jetojnë e punojnë dhe të adhurojnë në paqe, në të dy vendet, në të gjitha vendet e rajonit. Mendoj se vetëm duke jetuar këtu dhe duke ndërtuar një të ardhme për fëmijët e tyre, anëtarët e komunitetit serb këtu po japin një kontribut të vërtetë për të ardhmen e Kosovës.
    Për një amerikan që jeton në një vend multikulturor dhe shumë të ndryshëm, është diçka normale dhe shpesh kam thënë se një nga gjërat që Amerika dhe Kosova kanë të përbashkët janë diversiteti i popujve që jetojnë në vendet e tyre. Dhe, shpresoj që gjithmonë do të jetë kështu”, ka deklaruar Kosnett.

    Ambasadori më tej ka deklaruar në këtë intervistë se e ardhmja ekonomike e vendit është diçka që anëtarët e komunitetit shumicë dhe komunitetet pakicë ndajnë.

    “Mendoj se shumë njerëz janë të frustruar, jo vetëm njerëzit me të cilët u takova sot, shumë njerëz janë të frustruar nga pengesat për rritjen ekonomike dhe zhvillimin ekonomik në vend. Sinqerisht, mendoj se shqetësimi për të ardhmen ekonomike të vendit është diçka që anëtarët e komunitetit shumicë dhe komunitetet pakicë ndajnë. Si diplomat i huaj dëshiroj të bëj atë që mundem për të ndihmuar në inkurajimin e vetë-mjaftueshmërisë ekonomike për Kosovën. Unë mendoj se ka shumë njerëz shumë të talentuar këtu, në veçanti kam takuar shumë të rinj të talentuar që mund të jenë të suksesshëm kudo në botë. Por, nëse nuk shohin mundësi ekonomike – nëse nuk shohin punë – nëse nuk shohin mundësi për të krijuar kompani – pyes veten se sa kohë do të qëndrojnë këtu. Unë mendoj se ky është një problem që të gjithë ne duhet të jemi të shqetësuar”, ka deklaruar Kosnett. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!