×
  • Lajme
  • Lajme

    Ambasadori gjerman: Qëndrimi ynë është i qartë, barrikadat të hiqen sa më shpejt nga ata që i kanë vendosur

    Reporteri
    20 Dhjetor 2022 | 8:17

    Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, edhe njëmbëdhjetë ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

    Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka kërkuar që ato të largohen para krishtlindjeve. AI ka thënë se ato duhet të largohen nga ata që i kanë vendosur.

    “Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur” ka deklaruar Rohde në KTV.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha dje se forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja kanë kërkuar kohë për zhbllokimin e rrugëve në veriun e vendit, ndërsa theksoi se bllokada e tillë nuk mund të lejohet për një kohë të gjatë.

    “Ne jemi në koordinim, komunikim të rregullt, të vazhdueshëm, intensiv me KFOR-in dhe padyshim që nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikadat e tilla por mos harroni se ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundi është fillimi i fazës së fundit të tyre” – tha Kurti.

    Në anën tjetër nga KFOR nuk kanë deklaruar se kur po synojnë të ndërmarrin hapa drejt heqjes së barrikadave e eliminim të tensioneve. Sidoqoftë, me plot bindje kanë theksuar se po vazhdojnë të qëndrojnë vigjilentë ndaj zhvillimeve të fundit në veri, dhe të aftë ta kryejnë misionin e tyre në Kosovë.

    “KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, kanë thënë ga KFOR për Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!