Gjykata e Apelit ka vendosur që seanca ku do të shqyrtohen ankesat ndaj aktgjykimit për vrasjen e Liridona Ademajt të mbahet e mbyllur për publikun.
Naim Murseli, i dënuar me burgim të përjetshëm në shkallën e parë, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, kanë dalë sot para Gjykatës së Apelit, ku pritet të shqyrtohen ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ankesa prej 30 faqesh, e dorëzuar nga dy avokatët e Murselit, kërkon anulimin e aktgjykimit të shkallës së parë ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Në ankesë, mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Po ashtu, ajo ngre pretendime lidhur me mënyrën se si policia e ka marrë në pyetje Murselin.
Avokatët pretendojnë gjithashtu se gjykata nuk i ka marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Ankesë në Gjykatën e Apelit ka deponuar edhe Leotrim Syla, avokati i së ndjerës Liridona Ademaj. Ai i ka kërkuar Kolegjit të Apelit që, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.
Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi i shpalli fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit të shkallës së parë, gjykata kishte vlerësuar se Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare e martesore, mllefit dhe dëshirës për hakmarrje, kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij. Sipas aktgjykimit, ai kishte synuar edhe përfitimin financiar nga polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridonës, në vlerë prej tre milionë kronash suedeze.
Ndërkohë, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës kishte konstatuar se Murseli nuk kishte pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale. Në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca kishin deklaruar se as Murseli dhe as Plava nuk kishin çrregullime mendore.
Në seancën fillestare, të mbajtur më 31 janar 2025, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij. Plava nuk ishte deklaruar për fajësinë, ndërsa Kokalla kishte thënë se nuk do të deklarohej pa u konsultuar me mbrojtjen.
I akuzuari Tom Dodaj ishte deklaruar fajtor dhe, pas pranimit të fajësisë, ishte dënuar nga Gjykata Themelore me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Vendimi i Gjykatës së Apelit për mbajtjen e seancës me dyer të mbyllura nënkupton se publiku dhe mediat nuk do të mund të jenë të pranishëm gjatë shqyrtimit të ankesave.
Reporteri.net