Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar me 30 vjet burgim të akuzuarin A.G., për veprën penale të vrasjes së rëndë, e kryer më 3 shtator 2023, në lagjen Arbanë të Prizrenit.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i akuzuari është shpallur fajtor se pas një zënke të çastit me viktimën B.M., kishte shkuar në shtëpinë e tij për ta marrë një armë automatike të tipit AK-47 dhe më pas ishte kthyer në vendin e ngjarjes.
Aty, sipas aktakuzës së përshkruar në aktgjykim, ai e kishte vërejtur viktimën duke ecur në shoqëri me bashkëshorten, vajzën dhe dy persona të tjerë.
I akuzuari, pasi u kishte dalë përballë me automjet, kishte zbritur nga vetura dhe kishte shkrepur një rafal në drejtim të B.M., duke e goditur në pjesën e përparme të trupit.
Pasi viktima ishte rrëzuar në tokë, i akuzuari i ishte afruar, ia kishte drejtuar armën në kokë dhe kishte shkrepur edhe një rafal prej dhjetë plumbash. Viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes nga plagët e marra.
Gjatë tërë kohës, bashkëshortja dhe vajza e viktimës kishin qëndruar pranë tij, ndërsa dy personat e tjerë kishin arritur të fshiheshin nga i akuzuari.
Me këto veprime, sipas gjykatës, përveç privimit nga jeta të viktimës, i akuzuari kishte vënë me dashje në rrezik edhe jetën e personave të tjerë që ndodheshin në vendin e ngjarjes.
Për këtë vepër penale, Gjykata Themelore në Prizren e ka dënuar A.G.-në me 30 vjet burgim. Ndaj tij është vazhduar edhe masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Trupin gjykues e kryesoi gjykatësja Sadije Selmani, ndërsa anëtarë ishin gjykatësit Ajser Skenderi dhe Artan Sejrani.
I dënuari ishte dënuar edhe më herët për dy vepra të tjera penale të lidhura me të njëjtën ngjarje. Më 16 maj 2024, ai ishte shpallur fajtor për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe për asgjësim apo dëmtim të pasurisë. Për këto vepra, ishte dënuar me një vit burgim dhe 500 euro gjobë.
Pas shpalljes së aktgjykimit të fundit, palët janë njoftuar se brenda afatit ligjor do ta pranojnë vendimin e plotë, në formë të shkruar dhe të arsyetuar.
Reporteri.net