×
  • Lajme
  • Lajme / Hulumtimi i Gazetës Reporteri

    Anti-korrupsioni paralajmëron AKP-në – zgjedhja e Burim Lecit zëvendësdrejtor mund të paraqes konflikt të interesit

    Autor:Arlinda Rrmoku
    30 Maj 2024 | 11:30

    Përzgjedhja e Burim Lecit në pozitën e numrit dy në Agjencinë Kosovare të Privatizimit mund të paraqes konflikt interesi. Kjo pasi Leci aktualisht është drejtor menaxhues i një kompanie e cila ka në pronësi një serë pompash të derivateve që menaxhohen nga AKP-ja.

    Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë deklaruar se në rast të përzgjedhjes së Burim Leci, në pozitën e zëvendësdrejtorit ekzekutiv operativ në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, ai duhet të kërkojë sqarime që ta ushtrojë funksionin e tij pa konflikt interesi, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Kjo pasi Leci aktualisht sipas regjistrimit në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, figuron si drejtor menaxhues në “IP-KOS SH.P.K.”, kompania që ka në pronësi pompat e derivateve “IP Petrol”, e që kanë në shfrytëzim një numër të pompave të derivateve që i menaxhon AKP-ja në të cilën po synon të marrë pozitë të lartë ekzekutive.

    Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë dhënë sqarime rreth Ligjit për Parandalimit e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sipas të cilit zyrtari i lartë ka për obligim që pas marrjes së detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike dhe private.

    Bazuar në pyetjen tuaj, nënkuptohet se procesi i rekrutimit është në vazhdim dhe se personi i cekur në pyetje është i pari, pra ende nuk është emëruar.  Si rezultat, Agjencia konsideron se nëse i njëjti emërohet në pozitën e përcaktuar, atëherë ai do të duhej të këshillohet nga punëdhënësi, e në raste të veçanta të kërkojë sqarim edhe te ne në Agjenci, në mënyrë që të bëjë veprimet e nevojshme brenda afatave për të ushtruar funksionin e tij pa konflikt interesi”, thanë nga APK-ja të enjten për Gazetën Reporteri.net.

    Po ashtu nga APK-ja pohuan se sipas ligjit, zyrtari i lartë publik nuk mund të jetë jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare.

    Ndërsa, sa i takon papajtushmërive në ushtrimin e funksionit publik me ndonjë funksion tjetër për të cilin ju keni aluduar, atëherë në ligjin e sipër përmendur është e specifikuar saktësisht se cilat profesione janë të papajtueshme me funksionin publik nëse ato ushtrohen njëkohësisht. Me konkretisht, dispozita që e përcakton këtë shprehimisht thotë si vijon: “Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji, subjektet politike si dhe rastet kur një funksion i tillë i dedikohet me ligj për shkak të funksionit””, thuhet në përgjigjen e APK-së.

    Dyshime për kurdisje të konkursit, bashkëpunëtori i Luan Dalipit ia mësynë numrit dy në AKP

    Pos rrezikut për konflikt interesi, i gjithë procesi i rekrutimit të numrit dy në AKP dyshohet se mund të ketë edhe kurdisje nga ana e pushtetit. Kjo për shkak se kandidati me më së shumti pikë në listën e konkursit, Burim Leci, është ish-bashkëpunëtor i Luan Dalipit, shefit të stafit në kabinetin e kryeministrit, Albin Kurti.

    Leci ka qenë një bashkëpunëtor i afërm i Dalipit, në MDA, kompaninë në të cilën Dalipi është një nga themeluesit e saj, në Prishtinë. Ai ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Divizionit për Zhvillimin e Qeverisjes në MDA, në të njëjtën kur biznesi drejtohej nga vetë Dalipi, para se ky i fundit, në shkurt të 2020-ës ta braktiste kompaninë e themeluar nga vetë ai për Zyrën e kryeministrit Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net tash e disa ditë është në ndjekje të kësaj teme dhe ka raportuar në vazhdimësi për mbarëvajtjen e procesit. Gazeta ka disa ditë që është duke provuar të marrë sqarime nga Zyra e Kryeministrit dhe nga vetë Luan Dalipi, përmes Zyrës për Informim, nëse pushteti ka kurdisur konkursin e shpallur për pozitën zëvendës-drejtor ekzekutiv operativ në AKP, por deri më tash askush nuk ka kthyer përgjigje.

    Njëjtë ka vepruar edhe Burim Leci, i cili vetë kishte kërkuar gjatë javës që shkoi që pyetjet t’i dërgohen me shkrim, pasi në bisedën përmes telefonit tha se ndodhej në Maqedoni dhe ndërpreu linjën.

    Tek disa ditë pas publikimit të hulumtimit të Gazetës Online Reporteri.net në lidhje me këtë rast, të mërkurën janë deklaruar edhe nga AKP-ja, të cilët kanë pohuar se Bordi i Drejtorëve do të vendos për këtë proces përzgjedhës në njërën nga mbledhjet e ardhshme.

    Dyshime për kurdisje të konkursit, bashkëpunëtori i Luan Dalipit ia mësynë numrit dy në AKP

    Nga AKP-ja kanë mohuar që në këtë konkurs të ketë kurdisje për ‘rehatimin’ e Lecit në pozitën e zëvendës-drejtorit ekzekutiv operativ.

    Nuk bëhet fjalë për kurdisje të konkursit, por për një proces të rregullt të konkursit, i cili, siç u tha më lartë, administrohet nga DMZP, ku edhe mund të interesoheni për detaje më shumë rreth këtij procesi“, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetën Online Reporteri.net.

    AKP pretendon se procesi është i rregullt sipas procedurave ligjore në fuqi, teksa kanë mohuar kategorikisht se ka mundur të ketë ndërhyrje nga ana e qeveritarëve në këtë konkurs.

    Është një proces i rregullt i konkursit sipas procedurave ligjore në fuqi, dhe nuk bëhet fjalë për rekomandime apo presione gjatë këtij procesi të hapur dhe i bazuar në rezultatet e testit me shkrim dhe intervistave sipas procedurave standarde në fuqi“, thanë nga AKP-ja për Gazetën Reporteri.net.

    Nga AKP kanë dhënë sqarime edhe për eliminimin e dy kandidatëve tjerë, Agron Berisha dhe Avni Ramadani, të cilët ishin para Burim Lecit në listën e selektuar më 1 mars, duke e lënë atë të renditur në vendin e tretë.

    Personat e lartë përmendur janë të parët në listën e aplikantëve dhe jo listën e ngushtë dhe atë vetëm për shkak se sistemi i Burimeve Njerëzore është elektronik, dhe i njëjti i gjeneron listat e kandidatëve sipas renditjes alfabetike. Përndryshe, testimin me shkrim e kanë kaluar vetëm 2 kandidatët e publikuar në sistemin e Burimeve Njerëzore, pasi që të vetmit kanë marrë mbi 50 poena, e që është mjaftueshëm për ta kaluar testin, përderisa kandidatët tjerë nuk e kanë kaluar pragun minimal të pikëve. Për më tepër, testi ka qenë i organizuar dhe i administruar nga Departamenti për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë (DMZP) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, vijon më tej përgjigja e AKP-së. /Reporteri.net/.

    @reporterimedia 🚨Dyshime për kurdisje të konkursit, bashkëpunëtori i Luan Dalipit ia mësynë numrit dy në AKP #qeveriakurti #vv #lajme #albinkurti #politika #shqip #shqiptaretneperbote🇦🇱🌍 #perty #lajmeshqip #prishtina #kosova #kosovatiktok #tiktokkosova #reporteri #viral #fyp #opozita #pdk #ldk #lvv #psd #aak #kosova🇽🇰 ♬ original sound – Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!