×
  • Lajme
  • Lajme

    Ardiana Bunjaku, 1 vit jashtëligjshëm në bordin e UP-së

    Reporteri
    16 Prill 2019 | 16:59

    Ish-kryesuesja e bordit të Universitetit të Prishtinës, dhe së fundi anëtare e këtij bordi, Ardiana Bunjaku e cila dha dorëheqje ditë më parë nga kjo pozitë, për një vit e ka ushtruar këtë funksion jashtëligjshëm, shkruan Reporteri.net.


    Agjencia Antikorrupsion përmes një vendimi të nxjerrë të martën ka konstatuar se ajo kishte pasur konflikt interesi pasi në të njëjtën kohë mbante disa pozita.

    Sipas vendimit të Agjencisë Antikorrupsion, rasti i hetimit ndaj Bunjakut ka nisur pas informacioneve dhe kërkesës së një grupi të studentëve të UP-së.

    “Pas verifikimit të informacionit dhe të dhënave tjera është vërejtur se zyrtarja e lartë Ardiana Bunjaku, kryesuese e Këshillit drejtues të Universitetit të Prishtinës, në të njëjtën kohë gjatë ushtrimit të funksionit publik është e angazhuar dhe ushtron funksione si drejtor ekzekutiv në Shoqatën e Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK), anëtare e bordit në NLB-Banka, dhe anëtare e komisionit të auditimit dhe riskut në NLB-BANK e që sipas ligjit për parandalimin e konflikit të interesit në ushtrimin e funksionit publik kjo situatë paraqet konflikt të interesit dhe papajtueshmëri në ushtrimin e funksionit publik”, thuhet në vendimin e AKK-së.

    Sipas këtij vendimi, Agjencia e ka njoftuar zyrtaren e lartë me shkresë se ka filluar procedura e shqyrtimit të gjendjes së mundshme të konfliktit të interesit dhe se ka të drejtë në afatin prej 15 ditësh të njoftohet me faktet që posedon ky institucion.

    Në vendim thuhet se pas kësaj, ajo ka dhënë dorëheqje dhe me këtë rast është krijuar situatë e re duke u shmangur konflikti i interesit. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!