Tre persona janë arrestuar të martën në Prizren, nën dyshimin për veprën penale “Fajdeja”, pas një operacioni të Policisë së Kosovës, i cili është zhvilluar në kuadër të një hetimi të ndërmarrë përmes masave të fshehta.

Lajmin e ka konfirmuar Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit.

Sipas tij, gjatë tentimit për arrestimin e njërit prej të dyshuarve, ai nuk është ndalur me automjet dhe ka vazhduar ikjen.

Reklamë

Gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur një këmbësore 17-vjeçare, e cila ka pësuar lëndime trupore, por sipas vlerësimit të mjekëve është jashtë rrezikut për jetë.

Po ashtu, gjatë ikjes, i dyshuari ka goditur edhe një zyrtar policor, hetues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë. Polici ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Pas veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët policorë, i dyshuari është ndaluar dhe arrestuar.

“Gjatë arrestimit të të dyshuarit kryesor janë gjetur edhe para të dyshuara se janë dhënë për qëllime të simulimit, të cilat janë sekuestruar për procedurë të mëtejshme hetimore”, ka deklaruar Bytyqi.

Operacioni është zhvilluar nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, në bashkëpunim me zyrtarë policorë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Prishtinë.

Reklamë

Tre të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë veprime të tjera hetimore me qëllim të dokumentimit të plotë të veprës penale dhe rrethanave të tjera të ndërlidhura me rastin.

Sipas Policisë, operacioni është realizuar edhe falë bashkëpunimit dhe besimit të qytetarëve me institucionet e rendit.

Policia ka bërë të ditur se pas përfundimit të operacionit do të vazhdohet me procedurat e mëtejshme penale, në përputhje me udhëzimet e Prokurorit të Shtetit dhe dispozitat ligjore në fuqi.

Reklamë