Policia e Kosovës ka arrestuar një instruktor të autoshkollës në Pejë pasi të njëjtin e ka kapur duke pranuar 500 euro për kalimin e një kandidati për patentë shofer, raporton gazeta online Reporteri.net.

“Hetuesit e Sektorit për Hetime Financiare të DHKEK, duke përdorur masat e veçanta të hetimit, kanë arrestuar të dyshuarin: B.G., (viti i lindjes 1968, mashkull kosovar), instruktor në një auto-shkollë në Pejë. I njëjti është arrestuar në flagrancë duke pranuar një shumë prej 500 eurove nga një person për t’i mundësuar atij kryerjen e testit me shkrim për patentë shofer”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Të dyshuarit gjatë kontrollit i janë gjetur dhe konfiskuar mjetet monetare të cilat kanë shërbyer për simulim të veprës penale.

Reklamë

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndaj tij është iniciuar rasti ‘pranim i ryshfetit në sektorin privat’ dhe më pas, me akt-vendim të prokurorit të Pejës i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, thuhej në njoftim.