Deputeti i VV-së, Armend Muja ka reagur lidhur me përvjetorin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke thënë se Kosova ka humbur një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Facebook, Muja ka thënë se nuk është dita të flitet për të këqijat që ai ka bërë, por për të keqen që ia kanë bërë atij.
“Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit pesë vjet me parë, sipas të gjitha gjasave, kemi humbur kundërshtarin më serioz të Listës Serbe dhe po ashtu një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë”, shkruan mes tjerash Muja.
Postimi i plotë:
Dje ka qenë pesëvjetori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Nuk ka qenë dita kur flitet për të këqijat që ai i ka bërë, por për të keqen që ia kanë bërë atij. Dita e djeshme është dita kur tregohet qysh Beogradi i vret edhe ata që i kanë shërbyer Serbisë më herët.
Oliver Ivanoviq u pat dënuar me 9 vjet burg për krime lufte, të cilat me shumë gjasë i ka kryer, ndonëse procesi ndaj tij u kthye në rigjykim nga EULEX-i. Qartazi, Beogradi është frikësuar që Ivanoviq ka nisur të bashkëpunojë me EULEX-in dhe ai ka shumëçka që mund të tregojë.
Njëkohësisht, Ivanoviq e nisi pluralizmin politik te serbët në Kosovë duke kundërshtuar Listën Serbe. Këto duket se kanë qenë dy motivet kryesore që shpien në vrasjen e tij. Për këtë duhet të diskutohet tash.
Me vrasjen e Oliver Ivanoviqit pesë vjet me parë, sipas të gjitha gjasave, kemi humbur kundërshtarin më serioz të Listës Serbe dhe po ashtu një dëshmitar kundër Beogradit për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.