×
  • Lajme
  • Lajme

    Avdullah Hoti: Shërbimi ushtarak të jetë i obligueshëm në Kosovë

    Reporteri
    16 Mars 2019 | 15:10

    Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se duhet të jetë i obligueshëm shërbimi ushtarak në Kosovë, sipas modelit të Zvicrës dhe vendeve tjera.


    Kështu tha shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, sipas të cilit, kjo masë do të garantonte mbrojtje efektive nacionale dhe “i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive partnere në NATO”.

    “Për një periudhë disavjeçare, të rinjtë do të shërbejnë për disa muaj në shërbimin ushtarak, me shkëputje, bazuar në nevojat e të rinjve për arsim, punësim dhe familje”, shkruan Hoti në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

    Në dhjetorin e vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës miratoi pakon ligjore, e cila i mundëson Forcës së Sigurisë së Kosovës të shndërrohet në Ushtri.

    Ndërkaq lidhur me procesin e transformimit të FSK-së në Ushtri, është thënë se do të zgjasë dhjetë vjet.

     Ndër të tjera në postimin e plotë të Hotit thuhet:

    SHËRBIM I OBLIGUESHËM USHTARAK NË KOSOVË

    Këshilli i Ekspertëve i LDK-së, në punëtorinë dyditore për Programin Qeverisës të LDK-së për qeverinë në ardhje, në fushën e mbrojtjes nacionale, ka vlerësuar që SHËRBIMI USHTARAK NË KOSOVË TË JETË I OBLIGUESHËM, sipas modelit të vendeve të vogla si Zvicra dhe vendeve të tjera.

    Kjo masë garanton mbrojtje efektive nacionale, i rrit aftësitë fizike e profesionale të rinisë dhe i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive të partnerëve tanë në NATO. Për një periudhë disavjeçare, të rinjtë do të shërbejnë për disa muaj në shërbimin ushtarak, me shkëputje, bazuar në nevojat e të rinjve për arsim, punësim dhe familje.

    Kjo është njëra nga masat kryesore të Programit Qeverisës të LDK-së në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë nacionale, sipas modelit dhe qasjes proaktive të zbatuar tashmë në vendet më të avancuara të botës.

    Programi i LDK-së do t’i maksimizojë përparësitë dhe mundësitë e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

    Procesi i përgatitjes të programit të ri të LDK-së do të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të të gjithë ekspertëve në LDK-në që kanë dhënë kontribut për tri dekada në ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe do të përfshijë ekspertizën e kuadrove më të mirë që ka Kosova.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!