×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i Popullit: Gjatë kohës së masave kufizuese u rrit numri i rasteve të dhunës në familje

    Reporteri
    10 Dhjetor 2021 | 12:53

    Avokati i Popullit ka konstatuar se shërbimet sociale edhe pse shumë të nevojshme në kohë pandemie, kanë qenë të kufizuara dhe janë shoqëruar me vështirësi të shumta. Situatën e ka përkeqësuar edhe shpallja me vonesë e granteve të rregullta me të cilat përkrahen ofruesit e shërbimeve sociale, shtoi ai, e se gjatë kohës së masave kufizuese është rritur ndjeshëm numri i dhunës në familje.

    Sipas të gjeturave të raportit të punës lidhur me ndikimin e pandemisë në të drejtat e njeriut, të publikuar nga Avokati i Popullit, 1915 raste janë shënuar në vitin 2019, ndërsa në vitin 2020 janë paraqitur në polici 2069 raste të dhunës në familje.

    Në anën tjetër, Avokati i Popullit ka konstatuar se pandemia ka ndikuar edhe në përkeqësimin e statusit ekonomik, duke e thelluar edhe më tepër hendekun e pabarazisë sociale ndërmjet familjeve.

    “Gjendja ekonomike e familjeve raportohet të jetë rënduar edhe më tej me rrezikun e rritjes së shkallës së varfërisë”, thuhet në komunikatë.

    Raporti “Emergjenca shëndetësore dhe ndikimi i pandemisë COVID-19 në të drejtat e njeriut në Republikën e Kosovës” trajton ndikimin e masave kufizuese te pandemisë, në veçanti në shëndetin publik, në shëndetin mendor, në të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, dhunën në familje, të drejtat e fëmijëve dhe ndikimi i emergjencës shëndetësore në jetën e fëmijëve, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuar, dhe të drejtat sociale dhe të punës.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!