×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i Popullit i kërkon MASHTI-t të mbikëqyrë bartësit e arsimit të lartë

    Reporteri
    23 Dhjetor 2021 | 11:47

    Avokati i Popullit ka adresuar një raport të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në lidhje me mosushtrimin e mbikëqyrjes efektive ndaj funksionimit të Bartësve të Arsimit të Lartë në Kosovë.

    Sipas njoftimit, Avokati i Popullit në vazhdimësi ka pranuar ankesa nga studentë dhe ish-studentë të kolegjeve private, bartës të arsimit të lartë në Kosovë që lidhen me mos mosnjohjen/mos verifikimin e diplomave të tyre.

    “Raporti trajton disa aspekte: në rastin e parë, ankuesit kishin përfunduar programet studimore në Bartës të Arsimit të Lartë në drejtime të cilat nuk kishin pasur akreditim dhe licencë; në rastin e dytë, me rastin e regjistrimit të ankuesit në kolegj, kolegji kishte akreditim, mirëpo me rastin e përfundimit të studimeve, kolegjit i ishte refuzuar kërkesa për riakreditim dhe si pasojë në këto raste diplomat e tyre ishin të pavlefshme, nuk mund të njihen/verifikohen dhe ankuesit nuk mund t’i vijonin studimet më tej. Në rastet e tjera, ankuesve nuk mund t’iu njihen/verifikohen diplomat për shkak të mosdorëzimit të librave amë nga Bartësit e Arsimit të Lartë dhe të njëjtët po ashtu nuk mund t’i vijojnë studimet më tej dhe as studimet jashtë vendit”, thuhet në njoftim.

    Avokati i Popullit në raport të datës 2 dhjetor 2021, ka vlerësuar se mosveprimi i institucioneve përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të dispozitave ligjore ka krijuar hapësirë që Bartësit e Arsimit të Lartë të funksionojë në kundërshtim me dispozitat ligjore, në mungesë të akreditimit dhe pa e dorëzuar ose thënë ndryshe mos administruar siç duhet dokumentacionin përkatës siç parashihet me dispozita ligjore, përveç tjerash ka krijuar pasiguri, humbje financiare e thyerje morale tek studentët.

    “Duke qenë se akreditimi është proces që garanton se një institucion i arsimit të lartë dhe programet e tij i plotësojnë standardet ndërkombëtare të pranuara të cilësisë dhe se kualifikimet e lëshuara nga BAL-i u japin bartësve të tyre një numër të drejtash, Avokati i Popullit konstaton se disa Bartës të Arsimit të Lartë kanë lëshuar diploma në kundërshtim të plotë me procedurat e akreditimit dhe licencimit”, thuhet në njoftim.

    Avokati i Popullit ka konstatuar se dorëzimi i librave amë në afatin e përcaktuar ligjor është obligim i Bartësve të Arsimit të Lartë, moszbatimi i tyre është përgjegjësi e secilit institucion që ushtron këtë veprimtari.

    “Administrimi i të dhënave relevante për studentët e regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është përgjegjësi e institucioneve. Është e nevojshme që institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit t’i ndërmarrin veprimet ligjore lidhur me çështjen e njohjes/verifikimit të diplomave, në mënyrë që kjo çështje të përfundojë dhe studentët të mos përballen me probleme të kësaj natyre”, thuhet në njoftim.

    Për këto dhe çështjet tjera të trajtuara në Raport, Avokati i Popullit i rekomandoi Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që:

    Të angazhohet që komisionet e formuara nga MAShTI t’i përfundojnë detyrat e dhëna në një afat të arsyeshëm kohor dhe çështja e njohjes/verifikimit të diplomave të marrë epilog, duke u bazuar në dispozitat ligjore në fuqi dhe në pajtim me standardet evropiane.

    Të sigurojë që Inspektorati i Arsimit, si organ ekzekutiv qendror, t’i ndërmarrë të gjitha veprimet efektive për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të aplikueshëm nga të gjithë Bartësit e Arsimit të Lartë, deri në ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë, në mënyrë që rastet e tilla të mos përsëriten.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!