Qytetarë të shumtë janë mbledhur edhe sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në natën e 15-të radhazi të protestës në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të dënuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjatë protestës është vendosur mbishkrimi “Bac s’u kry”, përmes të cilit pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetjen për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.
Katër ish-krerët e UÇK-së u dënuan më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara në Hagë me gjithsej 81 vjet burgim.
Protestuesit kanë përsëritur kërkesën për lirimin e Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit, ndërsa kanë deklaruar se aktgjykimi dënues i Hagës “nuk është në emrin e tyre”.
Nga protesta është bërë thirrje edhe për institucionet e Kosovës. Pjesëmarrësit kanë kërkuar nga Qeveria që të procedojë urgjentisht në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke kërkuar që ai të miratohet para 6 tetorit.
Protesta e së mërkurës vjen një ditë para tubimit të paralajmëruar nga platforma “Liria ka Emër”.
Protesta e së enjtes pritet të nisë në orën 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe në kundërshtim të aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.