Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se nisja e punimeve për shndërrimin dhe modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, është edhe një dëshmi e fuqishme e përkushtimit të SHBA-së dhe aleatëve të NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe më gjerë.
Mehaj ka shtuar se orientimi i qartë euroatlantik i kombit dhe shteteve për NATO-n, konfirmon besimin e plotë të ndërtuar natyrshëm mes vendeve tona dhe SHBA-së, që e ka cilësuar aleat të pazëvendësueshëm.
“Nisja e punimeve sot për shndërrimin dhe modernizimin e Bazës Ajrore të Kuçovës në Bazë Ajrore të NATO-s, është edhe një dëshmi e fuqishme e përkushtimit të SHBA-së dhe aleatëve të saj të NATO-s për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit tonë dhe më gjerë. Orientimi i qartë euroatlantik i kombit dhe shteteve tona për NATO-n e fuqishme konfirmon besimin e plotë të ndërtuar natyrshëm mes nesh dhe aleatit të pazëvendësueshëm, Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Mehaj në Facebook.
Ai më tej ka thënë se bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, vendi “jemi më të fortë kundër të gjithë atyre që kërcënojnë dhe rrezikojnë vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë kudo në botë”.