×
  • Lajme
  • Lajme / Reagim ndaj Kurtit

    BE-ja mohon se propozimi i Kurtit ishte i vetmi në tavolinë

    Reporteri
    15 Shtator 2023 | 10:26

    Burimet e Radios Evropa e Lirë nga Bashkimi Evropian, kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për implementim, duke theksuar se BE-ja ka paraqitur para palëve një plan të saj për implementimin e sekuencuar.

    Të enjten është mbajtur rundi i radhës i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

    Duke rikujtuar se përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se BE-ja e ka dorëzuar propozimin e kompromisit që implementimi të shkojë paralelisht, burimet e BE-së kanë thënë se qysh në qershor i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kishte prezantuar një plan të sekuencuar dhe për të kishte pasur deri me tash shtatë runde të takimeve të ndara me palët.

    Prandaj, thonë këto burime, pohimi i kryeministrit Kurti se propozimi i tij ka qenë i vetmi në tavolinë, është “thjesht i pasaktë”.

    SHBA-ja paralajmëron konsulta me partnerët evropianë për hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi

    Dokumenti, në të cilën thirren burimet e BE-së përmend që implementimi do të nisej me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.

    Paralelisht Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale.

    Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.

    Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.

    Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.

    Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve kombëtare.

    Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.

    “Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë” do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme. Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.

    Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes. Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.

    Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.

    Ky dokument në të cilin thirren burimet e BE-së, mban datën e 19 korrikut të këtij viti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!