Deputetë të zgjedhur të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë alarmuar për gjendjen e prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë, duke thënë se disa blloqe të termocentraleve janë jashtë funksionit, ndërsa vendi po mbështetet në import të energjisë, shkruan Reporteri.net.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Janina Ymeri, ka thënë se Blloku B1, A3 dhe A5 i termocentraleve janë jashtë funksionit, ndërsa në punë janë vetëm A4 dhe B2.
Sipas Ymerit, Kosova po importon mbi 300 megavat energji në orë.
Ajo e ka cilësuar situatën si “bixhoz elektroenergjetik”, duke ngritur shqetësime për kostot e importit.
“Blloku B1=0, Blloku A3 =0, Blloku A5 = 0, Blloku A4 me Bllokun B2 funksiojnë dhe me kaq ne sot shkojmë deri mbi 300 MW në orë import. Çmimin total i importit nuk caktohet dot sepse siç dihet Kosova importon me kontrata 1-1 me kompani të caktuara. Bixhoz elektroenergjetik”, ka shkruar ajo, në Facebook.
Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Ermal Sadiku, ka reaguar ndaj rënies së prodhimit të energjisë elektrike në vend, duke theksuar se blloqet B1, A3 dhe A5 nuk janë në prodhim.
Sipas tij, në kulmin e sezonit veror, kur në Kosovë ndodhen mërgata, turistët e festivalit Sunny Hill dhe vizitorë të aktiviteteve të tjera, prodhimi i energjisë ka rënë nën 50 për qind.
Sadiku vlerëson se situata nuk është thjesht një problem teknik, por pasojë e keqmenaxhimit, mungesës së planifikimit dhe dështimit në mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike.
“Sot blloqet B1, A3 dhe A5 nuk po prodhojnë. Në kulmin e sezonit veror, kur kemi mërgatën në Kosovë, turistët e Sunny Hill dhe festivale të tjera, prodhimi i energjisë ka rënë nën 50%.
Kjo nuk është thjesht një problem teknik. Është pasojë e keqmenaxhimit, mungesës së planifikimit dhe dështimit në mirëmbajtje. Çfarë amaterizmi. Çfarë keqqeverisjeje. Çfarë keqmenaxhimi”, ka shkruar Sadiku.