Kryeministri i Izraelit, Benyamin Netanyahu, ka sinjalizuar se është në të njëjtën linjë me Trump dhe se dëshiron që lufta të vazhdojë, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.
Disa nga fjalët e para që tha në konferencën e shtypit të enjten ishin“Nën udhëheqjen vizionare të Presidentit Trump.”
Sipas CNN, Netanyahu kishte një qëllim kryesor në mendje: të lartësonte presidentin amerikan dhe të përsëriste mesazhet e Shtëpisë së Bardhë.
Si Trump, edhe Netanyahu kritikoi vendet që nuk po bashkohen me përpjekjen e luftës.
“Nëse liderët janë të ndershëm, ata do ta kuptojnë që ne nuk po luftojmë vetëm luftën tonë, por edhe luftën e tyre”, ka deklaruar Netanyahu.
Si Trump, edhe Netanyahu paraqiti luftën sikur të kishte filluar gati 50 vjet më parë me revolucionin islamik në Iran, duke akuzuar regjimin se “ka zhvilluar luftë kundër Amerikës, Izraelit dhe popullit iranian për 47 vjet.”
Ashtu si Trump, Netanyahu bëri të qartë se është SHBA-ja që po udhëheq përpjekjen e luftës, jo Izraeli.
“Ai është lideri. Unë jam, si të themi, aleati i tij. Amerika është lideri.”
Para konferencës së shtypit, mosmarrëveshja më e dukshme kishte të bënte me sulmin e Izraelit mbi infrastrukturën e gazit natyror South Pars në Iran. Trump pretendoi se SHBA nuk dinte asgjë për këtë, edhe pse zyrtarët amerikanë dhe izraelitë thonë se sulmi ishte i koordinuar dhe SHBA ishte e vetëdijshme. Këtu, Netanyahu ishte i kujdesshëm me formulimin.
“Izraeli veproi vetëm,” tha ai.
Pavarësisht se planifikojnë disa javë të tjera lufte dhe mijëra objektiva, zyrtarët izraelitë prej kohësh besojnë se kjo luftë do të përfundojë kur Trump të vendosë se ka fituar. Kjo është ajo që ndodhi në qershor për të përfunduar luftën 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit.
Një nga qëllimet e dukshme të Netanyahu pas konferencës së shtypit ishte të mbante Trump të përfshirë në luftë për sa më gjatë të ishte e mundur. Tani, Izraeli beson se Trump mund të jetë gati për një luftë më të gjatë. Sulmet iraniane mbi infrastrukturën energjetike në Gjirin Persik, që rritën ndjeshëm çmimet e gazit në SHBA, forcuan vendosmërinë e Trump, tha një zyrtar i lartë izraelit për CNN.
“Ngjarja në (Gjirin) Hormuz është e rrezikshme në afat të gjatë për interesat e SHBA-së,” tha zyrtari./Reporteri.net