×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Amerika fillon të përdorë bazat britanike për operacione kundër Iranit, Mbretëria e Bashkuar: Vetëm për mbrojtje

    Reporteri
    07 Mars 2026 | 19:32

    Shtetet e Bashkuara kanë filluar të përdorin bazat britanike për operacione të caktuara kundër Iranit në luftën në Lindjen e Mesme, njoftoi qeveria britanike.

    Ministria britanike e Mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara kishin filluar të përdornin bazat ushtarake për “operacione specifike mbrojtëse për të parandaluar Iranin të lëshonte raketa në rajon”.

    Kryeministri britanik Keir Starmer e zemëroi Presidentin e SHBA-së, Donald Trump për shkak se fillimisht refuzoi të luante ndonjë rol në luftën SHBA-Izrael me Iranin, e cila filloi një javë më parë, më 28 shkurt.

    Më vonë ai pranoi një kërkesë të SHBA-së për të përdorur dy baza ushtarake britanike për “qëllime specifike dhe të kufizuara mbrojtëse”. Këto baza ndodhen në Fairfold, Gloucestershire në Anglinë perëndimore, ndërsa baza britaniko-amerikane Diego Garcia ndodhet në Ishujt Chagos në Oqeanin Indian.

    Një bombardues B-1 Lancer i Forcave Ajrore Amerikane u ul në Fairford të shtunën. Një avion amerikan C-5 Galaxy u pa gjithashtu në pistën e bazës, ndërsa protestuesit kundër luftës demonstruan jashtë.

    Trump tha se nuk ishte “i kënaqur me Mbretërinë e Bashkuar” dhe e talli Starmerin, duke thënë se “nuk është Winston Churchill ai me të cilin po flasin”. Starmer, mbrojti vendimin e tij fillestar, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar “gjithmonë duhet të ketë një bazë ligjore dhe një plan të zbatueshëm dhe të menduar mirë”.

    Ai gjithashtu këmbënguli se kishte të drejtë që ndryshoi qëndrimin e tij, sepse hakmarrja iraniane me dronë dhe raketa ndaj sulmeve amerikano-izraelite kërcënoi interesat dhe aleatët britanikë në rajon./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!