“Ushtria e Iranit është në gatishmëri maksimale dhe e përgatitur për t’u përballur me çdo agresion”, ka deklaruar komandanti i forcave ajrore të Gardës Revolucionare Islamike pas kërcënimeve të Trump.

Sipas tij, dëmet e shkaktuara nga lufta 12-ditore me Izraelin janë riparuar gjatë kësaj periudhe dhe forcat ushtarake janë gati ndaj çdo agresioni të jashtëm. Teherani ka paralajmëruar se nëse Uashingtoni sulmon, do të godasin bazat ushtarake amerikane në rajon.

Al Jazeera raporton se personeli që ndodhet në bazat amerikane në Katar është këshilluar të largohet. Al Udeid është baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, që strehon rreth 10 mijë trupa amerikane.

Reklamë

Ky veprim vjen në një kohë kur SHBA-të kanë thënë se mund të ndërhyjnë ushtarakisht për të mbrojtur protestuesit në Iran.
Ndërkaq, bisedimet diplomatike midis ministrit të Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve, Steve Witkoff, janë ndërprerë për shkak të rritjes së tensioneve.

Reagimet nga pala iraniane kanë qenë të ashpra. Ministri i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, ka deklaruar se Irani ka shumë surpriza për këdo që e sulmon.

“Nëse këto kërcënime shndërrohen në veprime, ne do ta mbrojmë vendin deri në pikën e fundit të gjakut”, theksoi ministri i Mbrojtjes.

Ndërkohë që numri i protestuesve të vrarë është në rritje, Kryetari i Gjykatës së Lartë të Iranit, Gholam-Hossein Mohseni-Ejei, ka bërë thirrje për ndëshkim sa më të shpejtë të të ndaluarve.