Zonat përreth kështjellës Beaufort, një fortesë mesjetare e njohur nga banorwt si Qalaat al-Chaqif, janë shënjestruar nga një seri sulmesh të rënda ajrore izraelite. Ministri i Kulturës, Ghassan Salamé, ka shpërndarë në rrjetin e tij X një video të publikuar nga kolektivi “Green Southerners”, e cila tregon një re të dendur tymi që ngrihet nga vendi i ngjarjes.
Për momentin, nuk është bërë e mundur të përcaktohet zyrtarisht niveli i dëmeve që mund të ketë pësuar ky sit historik, i cili është i regjistruar në listën e pasurive kulturore të mbrojtura nga UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.
“Për shkak të operacioneve ushtarake në vazhdim, rrugët janë shumë të rrezikshme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Antikiteteve (DGA) nuk mund të arrijë në vend”, shpjegon arkitekti dhe këshilltari i ministrit të Kulturës, Jad Tabet, duke shtuar se një ekip i UNESCO-s po ndjek përmes satelitit gjendjen e siteve të mbrojtura në jug të Libanit.
Lufta, e cila po djeg mijëra hektarë tokë bujqësore dhe po shkatërron fshatra e infrastrukturë, po rrezikon gjithashtu të fshijë edhe trashëgiminë historike të vendit.
Në jug të Libanit, pesë fortesa (kështjella Beaufort, Qalaat Tibnin, Qalaat Chakra, Qalaat Deir Kifa dhe Qalaat Chamaa) përbëjnë, sipas UNESCO-s, “shembuj të jashtëzakonshëm të shkëmbimeve kulturore dhe arkitekturore në Lindjen e Mesme gjatë periudhës mesjetare”. Ato përfaqësojnë një dëshmi të rrallë të zhvillimit të arkitekturës fortifikuese përgjatë gati nëntë shekujve.
Megjithatë, më e rëndësishmja mbetet Qalaat al-Chaqif, e përfshirë në listën indikative të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nën dosjen “Kështjellat e Malit Amel”. Sipas OKB-së, ajo konsiderohet “një nga fortifikimet më të ruajtura të epokës së kryqëzatave në Lindjen e Mesme dhe një shembull i jashtëzakonshëm i arkitekturës ushtarake mesjetare”.
Një pozicion strategjik
E ndërtuar rreth vitit 1137 nga mbreti i Jeruzalemit dhe më pas e zgjeruar nga Ayyubidët, Mamlukët dhe familja feudale Al-Saabi, kështjella Beaufort ngrihet mbi një shkëmb në një lartësi prej 710 metrash. Ajo dominon një zonë që shtrihet nga jugu i Libanit deri në veri të Izraelit dhe ka qenë vazhdimisht e kontestuar për shkak të rëndësisë së saj strategjike.
Në shekullin XX, kështjella u përdor si bazë nga Organizata për Çlirimin e Palestinës (OCCP). Më vonë, gjatë operacionit “Paqe në Galile” në qershor 1982, ajo u bombardua rëndë nga ushtria izraelite, u dëmtua dhe u mbajt e pushtuar deri në vitin 2000.
Pas tërheqjes, autoritetet libaneze nisën një projekt të madh restaurimi dhe ruajtjeje përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Antikiteteve, me qëllim mbrojtjen e autenticitetit të saj sipas standardeve ndërkombëtare. Projekti u zbatua mes viteve 2002 dhe 2015 nga Këshilli për Zhvillim dhe Rindërtim (CDR), me financim kryesisht nga Fondi i Zhvillimit të Kuvajtit për shkak të mungesës së fondeve shtetërore libaneze.