Hetimet ndaj ish-princit britanik Andrew, vëllait të mbretit Charles III dhe djalit të mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II, janë zgjeruar edhe në drejtim të krimeve të mundshme seksuale.
Mediat britanike raportojnë se Andrew ishte marrë në pyetje nga autoritetet në muajin shkurt, nën dyshimet se gjatë kohës kur mbante postin e të dërguarit special për tregtinë e jashtme kishte ndarë informacione konfidenciale me Jeffrey Epstein, financieri amerikan i akuzuar për pedofili, i cili vdiq në burg në Nju Jork në vitin 2019.
Fillimisht hetimi kishte të bënte me shpërdorim detyre, por policia britanike ka konfirmuar se tashmë po shqyrton edhe akuza të mundshme për abuzime seksuale.
Sipas raportimeve, hetuesit po verifikojnë pretendime që lidhen me vajza të prezantuara tek Andrew nga Epstein, madje edhe brenda rezidencave mbretërore.
Autoritetet britanike pritet t’u bëjnë thirrje publike viktimave të mundshme që të dëshmojnë. Në qendër të hetimeve ndodhet dëshmia e një gruaje, e cila ka pretenduar se në vitin 2010 ishte dërguar tek Andrew për “qëllime seksuale” në rezidencën Royal Lodge në Windsor.
“Shpërdorimi i detyrës mund të përfshijë një gamë të gjerë veprash penale, çka e bën hetimin kompleks”, kanë deklaruar hetuesit për mediat britanike. Burime pranë hetimit kanë sqaruar për “Sky News” se autoritetet nuk po fokusohen vetëm tek aspekti financiar, por edhe tek krimet seksuale, korrupsioni dhe pengimi i drejtësisë.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar presionin mbi familjen mbretërore britanike. Andrew humbi titujt mbretërorë vitin e kaluar, pas publikimit të detajeve të reja mbi marrëdhënien e tij me Epstein.
Ndërkohë, dokumente të publikuara së fundmi tregojnë se vetë mbretëresha Elizabeth II kishte mbështetur emërimin e djalit të saj Andrew si i dërguar për tregtinë në vitin 2001, çka ka rikthyer debatet mbi mënyrën se si familja mbretërore e ka mbrojtur ndër vite.
Mediat britanike shkruajnë se përfshirja e mundshme e Andrew në një proces penal do të përbënte një tjetër goditje serioze për reputacionin e monarkisë britanike.