×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Çfarë dihet për “bisedimet” mes ShBA’së dhe Iranit

    Reporteri
    24 Mars 2026 | 18:43

    Ka versione kontradiktore nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani po bisedojnë për përfundimin e luftës, duke shkaktuar konfuzion në tregjet financiare dhe të energjisë.

    Çfarë ka thënë Donald Trump?

    Të shtunën, Trump kërcënoi se do të “shkatërronte plotësisht” centralet elektrike të Iranit nëse Ngushtica e Hormuzit nuk do të rihapej brenda 48 orësh. Por të hënën, Trump njoftoi papritur një pauzë pesëditore të këtyre sulmeve, duke pretenduar se SHBA kishte zhvilluar “bisedime produktive” me Iranin, raporton CNN, përcjell Reporteri.net.

    Më vonë, Trump i tha CNN se Irani dëshironte të “bënte një marrëveshje”. Ai pretendoi se SHBA kishte folur me një “person të rëndësishëm” në regjimin iranian, pa treguar se kush, dhe se kishte “pika të mëdha dakordësie”, pa dhënë detaje.

    Cili ishte reagimi i Iranit?

    Irani mohoi çdo bisedim me SHBA. Ndërsa qarkullonin raportime se SHBA kishte kontaktuar me Mohammad Bagher Ghalibaf, vetë Ghalibaf i mohoi këto zëra.

    “Nuk është zhvilluar asnjë negociatë me SHBA-në, dhe lajmet e rreme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës dhe për të shpëtuar nga kriza në të cilën SHBA dhe Izraeli janë të bllokuar,” shkroi ai në X.

    Por të martën, një burim iranian i tha CNN se ka pasur “kontakte” mes Washington dhe Teheran, dhe se Irani është i gatshëm të dëgjojë propozime “të përshtatshme” për t’i dhënë fund luftës.

    Çfarë do të kërkonte Irani nga një marrëveshje?

    Duke qenë se është bombarduar dy herë nga SHBA dhe Izraeli ndërkohë që bisedimet ishin në vazhdim, Teherani do ta ketë të vështirë t’i besojë Washingtonit, sipas Sanam Vakil nga Chatham House.

    “Iranianët janë ‘Trumpuar’ dy herë tashmë”, ka deklaruar ajo.

    “Ata do të jenë jashtëzakonisht skeptikë.”

    Irani do të kërkojë “garanci të besueshme” se nuk do të sulmohet nga SHBA apo Izraeli, shtoi ajo.

    Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka thënë më parë se kushtet për përfundimin e luftës përfshijnë kompensim për shkatërrimet. Irani gjithashtu ka këmbëngulur se nuk do të heqë dorë nga arsenali dhe industria e tij e raketave dhe dronëve, të cilat Trump kishte premtuar t’i “rrafshonte me tokë”.

    Si kanë reaguar të tjerët?

    Disa po përpiqen të shfrytëzojnë mundësitë e vogla për diplomaci. Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka folur me Iranin dhe Egjiptin, si dhe me SHBA dhe Bashkimi Evropian, për përfundimin e luftës, sipas një burimi diplomatik turk që ka folur për CNN.

    Ndërkohë, Pakistani thotë se është “gati të presë bisedime” mes SHBA dhe Iranit. Siç raporton CNN me burime,  Zëvendëspresidenti JD Vance mund të marrë pjesë në bisedimet e propozuara në Islamabad këtë javë.

    Por Izraeli tregon pak shenja se dëshiron t’i japë fund luftës – qoftë kundër Iranit, apo kundër Hezbollah në Liban. Një burim izraelit tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës me Iranin nuk është “e prekshme për momentin”./Reorteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!