Fakti që Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur ende në mediat shtetërore ka nxitur spekulime të shumta në rrjetet sociale, veçanërisht mes diasporës iraniane, lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe madje edhe nëse ai është ende gjallë.
Informacionet e konfirmuara deri tani janë shumë të kufizuara.
Televizioni shtetëror iranian e ka përshkruar atë si një “veteran të luftës së Ramazanit”, pa dhënë detaje të tjera nëse ai është plagosur apo jo. Ndërkohë, agjencia ndërkombëtare Reuters ka raportuar, duke cituar një zyrtar iranian të paidentifikuar, se ai është plagosur lehtë.
Në sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite humbën jetën edhe babai i tij, ish-udhëheqësi suprem Ali Khamenei, si edhe nëna dhe bashkëshortja e tij.
Pavarësisht se kanë kaluar pothuajse katër ditë që kur ai u shpall udhëheqësi i tretë suprem i Iranit, më 8 mars, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur ende në publik dhe as në video apo fotografi të publikuara nga mediat shtetërore.
Udhëheqësi suprem i Iranit zgjidhet në mënyrë indirekte nga Këshilli i Ekspertëve, një organ kushtetues i përbërë nga 88 anëtarë që ka përgjegjësinë për zgjedhjen dhe mbikëqyrjen e këtij posti.
Një detaj që ka tërhequr vëmendjen në mesazhin e tij të parë ishte pretendimi se ai e mësoi për zgjedhjen e tij në krye të vendit përmes televizionit shtetëror.
“Mësova për rezultatin e votimit të Asamblesë së Nderuar të Ekspertëve në të njëjtën kohë me ju dhe përmes televizionit të Republikës Islamike”, thuhej në mesazhin e tij, i cili u lexua nga një prezantues në televizion.