Presidenti kinez Xi Jinping i ka bërë thirrje hapur Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që të dyja vendet të kapërcejnë “Kurthin e Tukididit” dhe të shmangin një përplasje katastrofike globale.Paralajmërimi i tij u bë gjatë samitit të rëndësisë së veçantë që nisi sot në Pekin, ku të dy liderët u takuan në Sallën e Madhe të Popullit për të diskutuar mbi tregtinë, sigurinë dhe teknologjinë. Por çfarë nënkupton ‘Kurthi i Tukididit’?
Sipas studimit shkencor të kryer nga Harvard Belfer Center, ky term përshkruan stresin e rëndë strukturor që ndodh në politikën ndërkombëtare kur një fuqi në rritje e sipër (në këtë rast Kina) kërcënon të zhvendosë nga froni një fuqi dominuese ekzistuese (ShBA), shkruan Reporteri.net.
Çfarë thotë historia?
Për të vërtetuar këtë teori, ekipi hulumtues i Harvard Thucydides’s Trap Project analizoi historinë e 500 viteve të fundit. Gjetjet e tyre janë si vijon: Kanë identifikuar ekzaktësisht 16 raste historike të këtij rivaliteti. 12 raste përfunduan në luftë (p.sh., rivaliteti detar midis Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në rritje përpara Luftës së Parë Botërore). Vetëm 4 raste shmangën luftën përmes diplomacisë intensive (p.sh., tranzicioni paqësor i pushtetit nga Britania e Madhe tek SHBA në fillim të shekullit të 20-të).
Në analizat e tij për Aspen Institute, Graham Allison sqaron se lufta në këtë kurth rrallëherë nis sepse dy fuqitë e mëdha dëshirojnë direkt përplasjen. Rreziku qëndron tek përforcimi i keqkuptimeve dhe gabimeve në llogaritje. Në kushte të tilla tensioni, një provokim apo incident i jashtëm nga një palë e tretë (siç ishte vrasja e kryeprincit austriak në vitin 1914 që ndizi Luftën e Parë Botërore) detyron njërën palë të reagojë, duke ndezur një cikël reagimesh që i tërheq të dyja superfuqitë në një luftë që asnjëra nuk e dëshironte.
Çfarë i tha Xi Jinping presidentit Trump?
Sipas raporteve zyrtare të agjencive ndërkombëtare si CNBC dhe The Guardian, Xi Jinping iu drejtua Trumpit duke theksuar se bota ka mbërritur në një “udhëkryq të ri” historik. Ai ngriti publikisht pyetjen kryesore që rëndon mbi marrëdhëniet dypalëshe.
“A mund ta kapërcejnë Kina dhe Shtetet e Bashkuara ‘Kurthin e Tukididit’ dhe të krijojnë një paradigmë të re për marrëdhëniet e fuqive të mëdha?”
Xi sqaroi se liderët e dy ekonomive më të mëdha në botë e kanë për detyrë t’i përgjigjen kësaj sfide përmes partneritetit dhe jo rivalitetit destruktiv, duke mos e parë rritjen e Kinës si një kërcënim të pashmangshëm për Amerikën.
Pika më e nxehtë e debatit
Gjatë bisedimeve dypalëshe, Xi Jinping e lidhi drejtpërdrejt rrezikun e rënies në këtë kurth historik me çështjen e Tajvanit. Mediat si The New York Times raportojnë se lideri kinez lëshoi një paralajmërim të prerë për Trumpin. Xi deklaroi se nëse pavarësia e Tajvanit keqmenaxhohet nga Uashingtoni, dy vendet do të shkojnë drejt “përplasjeve dhe madje konflikteve” të hapura. Udhëheqësi kinez nënvizoi se “pavarësia e Tajvanit” dhe paqja në rajon janë të papajtueshme, njëlloj si “zjarri me ujin”.
Pse ky mesazh ka rëndësi sot?
Analistët gjeopolitikë nga Cornell University theksojnë se duke përdorur këtë term të historisë greke përpara Trumpit, Pekini po përpiqet të pozicionohet si një “fuqi e përgjegjshme” që kërkon bashkëekzistencë paqësore. Mesazhi i koduar diplomatik është se SHBA duhet të pranojë Kinën si të barabartë dhe të mos bllokojë rritjen e saj ekonomike apo ushtarake, pasi në të kundërt, sistemi strukturor ndërkombëtar do t’i shtyjë të dyja palët drejt një lufte të ngjashme me atë të Athinës dhe Spartës. Nga ana e tij, Donald Trump ka mbajtur një qëndrim optimist për bisedimet tregtare, por mbetet e paqartë se sa do të lëshojë pe Uashingtoni ndaj kërkesave strategjike të Pekinit. /Reporteri.net