×
  • Lajme
  • Raporto
  • Botë

    Çmimet e naftës rriten pasi ShBA-ja kapi një anije iraniane

    Reporteri
    20 Prill 2026 | 10:55

    Çmimet e naftës po rriten sot, pasi marina amerikane kapi një anije iraniane të dielën, duke zbehur shpresat për një marrëveshje paqeje mes SHBA-së dhe Iranit gjatë bisedimeve që priten këtë javë, shkruan CNN.

    Nafta Brent, standardi global, është rritur me 6.3% në 96 dollarë për fuçi, ndërsa WTI, standardi amerikan, është rritur me 7% në 88.3 dollarë për fuçi.

    Çmimet e naftës kanë pasur luhatje të forta që nga e premtja, kur Irani tha se do të rihapte Ngushticën e Hormuzit. Atë ditë, Brent ra me mbi 9%, duke arritur nivelin më të ulët që nga 10 marsi. Por një ditë më pas, Teherani e mbylli sërish këtë rrugë të rëndësishme detare, duke përmendur bllokadën amerikane ndaj porteve iraniane. Pas hapjes së tregjeve të dielën në mbrëmje, çmimet u rritën sërish.

    Sipas Thomas Mathews nga Capital Economics, ndryshimi i qëndrimit të Iranit për ngushticën ka ndikuar negativisht në tregje, por investitorët mbeten “çuditërisht” optimistë. Ai tha se gjasat për një marrëveshje ende konsiderohen relativisht të larta.

    Tregjet e aksioneve në Azi u rritën të hënën, ndërsa në Evropë indekset kryesore ranë në orët e para të tregtimit. Në SHBA, tregjet priten të hapen pak më dobët.

    Ushtria iraniane paralajmëroi se do të reagojë ndaj asaj që e quajti “grabitje në rrugë detare” nga SHBA, pasi forcat amerikane qëlluan dhe më pas hipën në një anije iraniane në Gjirin e Omanit. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti kërcënimet për të bombarduar termocentralet dhe urat iraniane nëse Irani nuk pranon atë që ai e quajti një marrëveshje “shumë të drejtë dhe të arsyeshme”.

    Sipas të dhënave për lëvizjen e anijeve, të dielën nuk kaloi asnjë cisternë nëpër Ngushticën e Hormuzit, duke e bërë atë një nga ditët më të qeta që nga fillimi i konfliktit.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!