Ish-shefi i stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është liruar me një garanci prej 2.7 milionë eurosh këtë të hënë, pasi kaloi katër ditë në paraburgim në kuadër të një hetimi të madh për korrupsion.
Sipas raportimeve, garancia është paguar nga disa burime të ndryshme, pasi Andriy Yermak deklaroi më 13 maj se nuk kishte mundësi ta paguante vetë dhe se do të “mbështetej te miqtë për ndihmë”.
Sipas hetuesve ukrainas kundër korrupsionit, Yermak dyshohet për përfshirje në një skemë të madhe pastrimi parash që lidhet me ndërtimin e një kompleksi luksoz rezidencial pranë Kievit.
Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me deri në 12 vite burg.
Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës (NABU) dhe Zyra e Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit po hetojnë një skemë ku deri në 9 milionë euro dyshohet se janë pastruar gjatë viteve 2021-2025 përmes ndërtimit të një kompleksi rezidencial luksoz në fshatin Kozyn, një zonë e pasur në jug të kryeqytetit ukrainas.
Sipas prokurorëve, fondet janë kanalizuar përmes një skeme korrupsioni shumë milionëshe të lidhur me monopolin shtetëror bërthamor Enerhoatom.
Autoritetet pretendojnë se grupi planifikonte të ndërtonte katër vila private, secila me sipërfaqe rreth 1 mijë metra katrorë, si dhe një kompleks të përbashkët me qendër relsaksi dhe pishinë. Kostoja e secilës vilë vlerësohet në miliona dollarë.
Siç shkruan Euronews, një nga katër vilat e financuara përmes kësaj skeme korrupsioni dyshohet se ishte planifikuar për Yermak-un. Por ky i fundit dhe avokati i tij kanë mohuar çdo shkelje, duke i cilësuar akuzat si “të pabazuara”. Ai ka deklaruar gjithashtu se do ta apelojë vendimin e gjykatës.
Nga ana tjetër, NABU bëri të ditur javën e kaluar se presidenti Zelensky nuk ka asnjë lidhje me hetimin për korrupsion.